Rajon - Botë

Apel shqiptarëve të Luginës të marrin pjesë masovisht në votime

Zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Serbi mbahen të dielën, më 17 dhjetor, ndërkaq shqiptarët e Luginës së Preshevës garojnë me dy lista, ajo e Shaip Kamberit dhe Shqiprim Arifit.

E Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë vlerëson se zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Serbi, më 17 dhjetor 2023, është një moment i rëndësishëm që ka nevojë për vlerësim nga shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Këshilli i Ambasadorëve i bën thirrje faktorit politik shqiptar që të merr pjesë në zgjedhje, gjersa thekson se politikat diskriminuese shtetërore nga institucionet serbe janë ende të pranishme.

Edhe në vizitën e tyre në Luginë, delegacioni i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë konfirmoi:

Mungesë e zhvillimit dhe perspektivës ekonomike;

Pengesa të panumërta në punësimin e shqiptarëve në institucionet qendrore dhe lokale;

Mosnjohja e diplomave të studentëve shqiptarë;

Pengesat në përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha nivelet, në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, në mbrojtjen e identitetit dhe përdorimin e simboleve kombëtare;

Vazhdim i politikës dhe metodave absurde të çregjistrimit dhe pasivizimit të adresave të shqiptarëve vendas etj.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë inkurajon votuesit shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë për pjesëmarrje sa më të madhe në këto zgjedhje, me synim ruajtjen e përfaqësimit në Kuvendin e Serbisë, për ndërgjegjësimin e faktorëve vendorë dhe ndërkombëtarë për pozitën e shqiptarëve në Serbi, duke insistuar në realizimin e kërkesave të shqiptarëve dhe avancimin e të drejtave ligjore të njohura ndërkombëtarisht për pakicat.