Maqedoni

Hoda: Ali Ahmeti sot nuk mori pjesë në varrimin e ushtarit të UÇK-së

Përfaqësuesi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (OVL-UÇK), Besim Hoda, në një intervistë për Alsat, ka kritikuar ashpër kryetarin e BDI-së Ali Ahmetin, për të cilin ka thënë se sot nuk ka marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-pjestari të UÇK-së, Elfat Osmani, nga Negotina e Gostivarit.

Hoda tha se Ahmeti nuk nderon ushtarët as kur vdesin, ndërsa në mënyrë selektive shpall dëshmorë edhe njerëz që vdesin në paqe.

“Sot në vendin tonë është varrosur një djalë që u bë pjesë e UÇK-së në moshën 17 vjeçare dhe siç e thash, në varrimin e tij, nuk ishte as komandanti i UÇK-së, as nuk ishin komandantët tjerë por, ai i’u dorëzua tokës për të cilën luftoi. Ajo që është dëshmuar deri tani është se BDI në mënyrë selective shkon në manifestime të caktuara duke quajtur dëshmor edhe njerëz që kanë vdekur edhe në paqë. Përndryshe BDI-ja manipulon me gjakun e dëshmorëve, me vlerat e luftës, me gjithçka tjetër ”, tha Hoda.

Ai i bëri thirrje kryeministrit teknik shqiptar, që në 100 ditët e tij të qeverisjes me vendin të iniciojë një Ligj për të zgjidhur statusin e UÇK-së dhe për ta legalizuar luftën e saj në vitin 2001.

“Uroj që posti i kryeministrit që proklamohet me aq pompozitet, pavarësisht emrit kush do të jetë, do të ketë mundësi historike që brenda kësaj kohe të realizojë ligjin për dëshmorët, veteranët e luftës dhe të legalizojë luftën e UÇK-së me të cilën mburren dhe kanë arritur të gjitha ato beneficione”, tha Hoda.