Murati me kritika të ashpra për politizimin e arsimit
Profesori universitar Xheladin Murati thotë se rezultatet e dobëta të nxënësve në testimin PISA janë si pasojë e mungesës së teksteve dhe programeve bashkëkohore. Në një intervistë për Alsat ai thotë se mungon metodologjia e qasjes në teste ndërkombëtare ndërkohë kërkon edhe trajnimin e arsimtarëve për një test të tillë.
“Tek ne eksperimentohet me shkollat. Tek ne thuhet se kemi bërë reforma, por reformat nuk janë të tërësishme, janë të pjesshme, reformat nuk kanë asnjëherë rezultate konkrete…. Nëpër shkollat tona kemi arsim ku dominon ende qasja teorike dhe thënë pak e aspak qasja praktike. Nuk ekziston lidhshmëri mes teorisë dhe praktikës. Ne sot për sot flasim për arsim i cili ngec me hapa konkret, ngec në lëvizje dhe nuk të përballet me sfidat që i ofron koha, kushtet dhe sistemi i ri”, deklaroi Xheladin Murati, profesor.
Një ndër faktorët kryesor për gjendjen e rëndë në arsim, sipas Muratit është edhe partizimi i arsimit që sipas tij më së shumti i dëmton vet nxënësit.
“Nëse vazhdon ky trend i partizimit të shkollës, Shkolla do të shkon në katastrofë. Ne nuk kemi Shkollë cilësore, nuk kemi dituri cilësore, ne nuk kemi tekste cilësore, ne nuk kemi libra shkollorë që i përshtaten moshës së nxënësve, ne kemi libra që nuk përkojnë me realitetin. Nxënësi mban në shpinën e tij çantën e cila ka mbi 20 kg. A norma pedagogjike flasin se çanta e nxënësit duhet të jetë 15% e peshës së trupit të tij, por me marrë librat ti masim tash, një libër ka 1 kilogram”, tha Xheladin Murati, Profesor universitar.
Murati komenton edhe bojkotin e prindërve maqedonas në Çashkë për shkak të paraleles me mësim në gjuhën shqipe. Ai thotë se këto veprime janë më shumë se lojëra politike
“Këto nuk janë lojëra politike por janë diçka më shumë se lojëra, janë vendimmarrje politike të prindërve të cilët nuk lejojnë zbatimin e barazisë së shqiptarëve, nuk lejojnë barazimin e gjuhës shqipe, nuk lejojnë barazimin e mësimit të nxënësve në shkollat e përbashkëta. Shkolla e Çashkës nuk është e vetme, kështu është në Idrizovë, kështu ka në Tetovë, në tre shkolla ku nxënësit maqedonas mësojnë në shkolla tjera pse nuk duan të mësojnë bashkë me nxënës shqiptarë dhe ne flasim për multikulturalizëm në Maqedoni, a në fakt ajo mungon në praktikë atëherë do të thotë se politika është faktori numër një që mund të kontribuojë që kjo çështje të zgjidhet në mënyrë cilësore si duhet por e cila i shkon në favor të ndarjes dhe ky politizim reflekton”, u shpreh Xheladin Murati, Profesor Universitar.
Shqetësuese sipas profesorit universitar Xheladin Murati paraqitet edhe fakti i korrupsionit në rritje në arsim. /Alsat.mk