Kosovë

Organizoi sulmin terrorist në Banjskë, Interpol lëshon urdhër-arresti për Milan Radojiçiç

Interpol ka lëshuar urdhër-arresti për të sanksionuarin e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, Milan Radojiçiç, raporton KosovaPress duke cituar burime brenda institucioneve relevante.

Radojiçiç u pa së fundmi në manastirin e Banjskës në veri të vendit, ku qëndruan terroristët serbë, pas sulmit terrorist ku mbeti i vrarë polici, Afrim Bunjaku.

Një pjesë e terroristëve kanë arritur të largohen, ndër ta edhe Radojiçiç, i cili ishte i plagosur dhe më pas mori shërbim në Serbi.

Po gjatë ditës së sotme, Policia e Kosovës ka konfiskuar një anije me shpejtësi të madhe, e cila ishte në pronësi të Radojiçiç.

Kujtojmë se edhe vetë ish-nënkryetari i Listës Serbe, njëherësh i sanksionuari i SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, Milan Radojiçiç, ka pranuar publikisht se ka marrë pjesë në organizimin e grupit terrorist që ushtroi agresion ndaj Kosovës, më 24 shtator. Lidhur me këtë ai është marrë në pyetje nga një Gjykatë në Beograd, ndërsa është liruar nga paraburgimi, një ditë pas marrjes në pyetje.