Maqedoni

Babai i Vanjës mohon të jetë i përfshirë në vrasjen e vajzës

Aleksandar Gjorçevski, babai i 14-vjeçarit Vanja, i cili u rrëmbye dhe u vra, ka dhënë deklaratë para prokurorit në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup. Sipas informacioneve fillestare, ai mohon përfshirjen në rastin e rëndë të rrëmbimit dhe vdekjes brutale të vajzës së tij. Gjykata Penale e Shkupit dje ka pranuar propozimin e Prokurorisë Themelore Publike (PTHP) Shkup dhe ka caktuar masën e paraburgimit prej 48 orësh për babain Vanja, i cili është një nga të dyshuarit për vrasjen e vajzës së tij.

Paraburgimi përcaktohet për shkak të rrezikut të arratisjes dhe ndikimeve te dëshmitarët.

Paraprakisht, Gjykata Penale, me propozim të Prokurorisë Publike të Shkupit, ka lëshuar urdhër urgjent për kryerjen e hetimeve kundër Ljupço Palevskit, i dyshuari kryesor për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit, i cili gjithashtu tregohet si organizator dhe autor të vrasjeve.

“Për të dyshuarin në arrati, në procedurë urgjente është lëshuar Urdhri për kryerjen e hetimeve për veprat penale të rrëmbimit dhe vrasjes. Prokurori publik ka dorëzuar propozim në Gjykatën Themelore Penale Shkup për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit. Gjykata e pranoi propozimin dhe mori vendim me të cilin masa e paraburgimit do të fillojë të zbatohet menjëherë pas zbulimit dhe heqjes së lirisë së tij”, njoftoi Prokuroria Publike.

Ministria e Punëve të Brendshme ka lëshuar fletarrest ndërkombëtar për Ljupço Palevskin.

“Ljupço Palevski, i lindur më 12.12.1964 në Shkup, me urdhër ndërkombëtar kërkohet për hetimin e veprave penale të rrëmbimit dhe vrasjes sipas urdhëresës nga Prokuroria Themelore Publike Shkup”, njoftoi dje Ministria e Punëve të Brendshme.