Mexhiti: Artan Grubi po luan kumar me fatin e shqiptarëve të Maqedonisë
Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, ka akuzuar zv./kryeministrin e parë Artan Grubi se po luan kumar me fatin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.
“Sot, me fatin e shqiptarëve, po luan kumar Artan Grubi me shokët e tij. Boll ishte. Për ta shpjeguar me fjalë të thjeshta, që ta kuptoj secili, partia ka emëruar puthadorë në pozicionet e rëndësishme financiare. Ata kanë për detyrë që të gjejnë mënyra sesi ti zhvatin njerëzit, ti vjedhin paratë e qytetarëve dhe ato para ti drejtojnë tek kompanitë dhe bizneset familjare të tyre. Edhe më thjeshtë, unë, ti, tjetri duhet të japim ryshfet nëse duam të mbarojmë punë. Afaristët duhet t’u japin provizion familjarëve të tyre, vëllezërve të tyre, që të mund të fitojnë një tender. Drejtorët duhet të bëjnë kontrata qiraje me kompanitë dhe familjet e tyre, që paratë nga buxheti të shkojnë në adresën e të mëdhenjve. Me mundin tonë, me djersën tone, pasurohen djemtë, vëllezërit dhe nipat e këtyre familjeve, ndërsa qytetari i thjeshtë shikon mundësinë e parë për të ikur jashtë vendlindjes”, tha Mexhiti.