“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk do të ndahen për negociatat”
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka pritur në një takim kete tre homologet e saj, Ministrin e Jashtëm të Austrisë, të Republikës Çeke, dhe atë të Sllovenisë. Ne konferencen e perbashket per shtyp, Xhacka perseriti dhe njehere faktin se Shqiperia tashme i ka realizuar te gjitha detyrat e saj.
Olta Xhaçka – Ministre për Europën dhe Punët e Jashtme
“Shqipëria është tashmë plotësisht e gatshme për Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Shqipëria, ka bërë një rrugë të gjatë dhe të vështirë për të përmbushur kushtet dhe kërkesat duke tejkaluar jo pak sfida. ne kemi pritshmëri të larta që Këshilli do të dakordësohet për të miratuar kornizën negociuese dhe për të zhvilluar Konferencën e parë Ndërqeveritare me Shqipërinë, brenda gjashtëmujorit të parë të vitit.”
Jakub Kulhanek, ministri i Jashtëm i Republikes Çeke, konfirmoi se vendet mbështetëse për Shqipërinë janë shumë.
Jakub Kulhanek-Ministër i Jashtëm i Republikës Çeke,
“Kjo konferencë duhet të nisë zyrtarisht bisedimet për anëtarësim. Republika Çeke, Austria, Sllovenia dhe vende të tjera që ndajnë të njëjtën pikëpamje si ne, mbështesin nismën e Presidencës së Portugalisë për mbajtjen e konferencës së parë në qershor.”
Anze Logar, ministri i Jashtëm slloven, shtet i cili merr presidencën e BE në korrik, artikuloi 3 mesazhet për të cilat ata kishin ardhur në Shqipëri:
“Ne mendojmë që Shqipëria i ka përmbushur detyrimet e saj, kështu që tashmë i takon BE-së të mbajë fjalën. Koha është e duhura, sepse nuk mbaj mend që Ballkani Perëndimor të ketë qenë kaq lart në axhendën e BE-së dhe duhet shfrytëzuar kjo kohë për të nxitur ide, për të qenë shumë aktiv. Po kështu ju jep më shumë mundësi, sepse është pas zgjedhjeve dhe keni një mandat të ri, keni mbështetjen edhe brenda Shqipërisë për të kryer të gjitha reformat e nevojshme. Presidenca e ardhshme është ajo sllovene, ku zgjerimi dhe Ballkani Perëndimor do të jetë në krye të axhendës.”
E në fund, ministri i Jashtëm i Austrisë hodhi poshtë të gjitha zërat për një ndarje të Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut.
“Shqipëria ka bërë detyrat e veta të shtëpisë, Maqedonia e Veriut ka bërë detyrat e veta të shtëpisë dhe nuk e kuptoj pse duhet të kemi një diskutim që dy vendet të ndahen nga njëri-tjetri.”
/Vizionplus/