Arsovska nuk heq dorë nga kërkesa për kthimin e përmendores së Qosetos
Kryetarja e Qytetit të Shkupit Danella Arsovska, nuk heq dorë nga kthimi i monumentit të Andon Lazov-Qoseto, i cili ishte vendosur para kompleksit të gjykatës në kohën e VMRO DPMNE-së dhe i cili ishte hequr nga ish-kryetari Petre Shilegov. Kjo është hera e dytë që Arsovska në një seancë të Këshillit të Qytetit të Shkupit propozon një pikë për kthimin e Qosetos. Dy muaj më parë, kjo pikë ishte në rend dite, por nuk u votua nga këshilltarët. Sipas informacioneve, në seancën e Këshillit, e cila do të mbahet të hënën, me kërkesë të Arsovskës, kjo pikë është futur sërish në rend dite. Ashtu si herën e kaluar edhe tani propozohet që monumenti në vend të kompleksit të gjykatave të vendoset në një lokacion të ri, pranë rrethrrotullimit në bulevardin Aleksandar Makedonski afër hotelit “Continental”.
Para 3 mujave Arsovksa në rrjеtin e saj social Facebook shkruajti se nuk do të lejojnë që përmendorja e revolucionarit maqedonas të ndryshket nëpër depo. Arsovska në prill të këtij viti ka dorëzuar kërkesë në Komunën e Qendrës për dhënien e pëlqimit për fillimin e procedurës sipas së cilës do të fillonte procedura për kthimin e monumentit.
Në shkurt të vitit 2018, monumenti u hoq me urdhër të kryetarit të atëhershëm, Petre Shilegov, sepse ishte ndërtim pa leje.