Rajon - Botë

Ministri izraelit i ekstremit të djathtë kërcënon me largim nga qeveria nëse ndalet lufta kundër Gazës

Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir është kërcënuar se do të japë dorëheqje nga qeveria nëse luftimet nuk rifillojnë pas përfundimit të pauzës humanitare 4-ditore të shpallur nga kryeministri Benjamin Netanyahu, transmeton Anadolu.

Ben-Gvir foli dje për “Channel 14”, kanalin e krahut të djathtë, ku komentoi miratimin e qeverisë izraelite për pauzën humanitare, të cilën e hodhi poshtë. Ai tha se ka dëgjuar nga Netanyahu se luftimet do të rifillojnë pas pauzës 4-ditore, por theksoi se nëse luftimet pushojnë “nuk do të kemi çfarë të bëjmë në këtë qeveri”.

Pas shpalljes së pauzës humanitare, Netanyahu u zotua se do të vazhdojë luftën kundër Gazës derisa të përmbushen qëllimet e Izraelit, përfshirë lirimin e të gjithë pengjeve izraelite në Gaza dhe eliminimin e grupit palestinez Hamas.

Dje, Ministria e Punëve të Jashtme të Katarit njoftoi se Izraeli dhe Hamasi kanë arritur marrëveshje për një pauzë humanitare 4-ditore, me datën e fillimit të shpallur brenda 24 orëve.

Sipas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Katari, ajo do të përfshijë armëpushimin 4-ditor, hyrjen e 300 kamionëve me ndihma humanitare në Gaza, përfshirë karburant, si dhe lirimin e 50 izraelitëve të mbajtur nga Hamasi në këmbim të 150 palestinezëve të burgosur në burgjet izraelite.

Marrëveshja lejon zgjatjen e pauzës humanitare dhe lirimin e mundshëm të fëmijëve dhe grave të tjera të mbajtura nga të dyja palët. Izraeli nisi sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas një sulmi të befasishëm nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor.

Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet ajrore dhe tokësore izraelite në Rripin e Gazës, sipas autoriteteve në Gaza, është rritur në 14.532, duke përfshirë mbi 6.000 fëmijë dhe 4.000 gra. Ndërkohë, numri zyrtar i izraelitëve të vdekur është rreth 1.200.