Kanadaja i bën thirrje Izraelit të ndalojë dhunën e “kolonëve” kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor
Kanadaja i bëri thirrje Izraelit të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të ndaluar dhunën e “kolonëve” hebrenj kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor, transmeton Anadolu.
Në deklaratën me shkrim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kanadasë, theksohet se ka shqetësime serioze për zhvendosjen e detyruar të palestinezëve në Bregun Perëndimor.
“Kanadaja i bën thirrje qeverisë izraelite të ndalojë veprimet e dhunshme të kolonëve dhe të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të mbrojtur popullin palestinez”, thuhet në deklaratë.
Gjithashtu thuhet se autorët e akteve të dhunës kundër palestinezëve duhet të mbahen përgjegjës dhe se Kanadaja mbështet një zgjidhje me dy shtete në të cilën shteti i pavarur i Palestinës dhe Izraelit do të ekzistojnë në paqe.
Në deklaratë thuhet se Kanadaja vazhdon të njohë të drejtën e palestinezëve për vetëvendosje dhe është e përkushtuar për arritjen e paqes afatgjatë dhe gjithëpërfshirëse në rajon.
Që nga 7 tetori në Bregun Perëndimor dhe Kudsin e pushtuar, 217 palestinezë kanë humbur jetën në sulmet e forcave izraelite dhe kolonëve hebrenj.