Përurohet rruga e Vilave në Kodrën e Diellit
Përurohet rruga e vilave në Kodrën e Diellit, punimet për të cilën nisën një muaj më parë.. Një investim kapital i komunës rezultoi me asfaltimin e një segmenti të kësaj rruge që të shpie nga pista e skijimit tek vikend-shtëpizat. Kreu i Komunës së Tetovës Bilall Kasami i cili përuroi këtë rrugë paralajmëroi plan urbanistik që parasheh ndërtimin e resorteve në Kodrën e Diellit.
“Angazhimi ynë për Kodrën e Diellit do të vazhdoj, besoj fuqishëm që para përfundimit të vitit do të kemi përfundimin e Planit urbanistik, me çka nga pranvera do të mund të nis edhe zhvillimi i pjesës së resorteve turistike, por edhe ndërtimit të vikend-shtëpizave në bazë të lejeve që do të jepen sipas Planit urbanistik. Gjithashtu, vazhdojnë punimet edhe me depërtimin e rrugës së re, e cila është po aq e nevojshme për këtë qendër turistike dhe dalëngadalë këtë atraksion po e transformojmë në një qendër rajonale të turizmit dimëror”, tha Bilall Kasami, Kryetar i Komunës së Tetovës.
Sipas njëshit të Tetovës, me pjesën tjetër të asfaltimit të rrugës do të vazhdohet në pranverë, duke ia bashkangjitur infrastrukturën nëntokësore. Pritet të ndërtohet edhe rrjeti i kanalizimit dhe stacionit filtrues të ujërave të zeza.