Maqedoni

Pendarovski: Në Shkup ka dallime ndërmjet lagjeve elitare dhe ishujve të margjinalizuar të varfërisë

Kreu i shtetit ka folur për dallimin në zhvillim ndërmjet lagjeve të ndryshme të Shkupit. Stevo Pendarovski e ka shpalosur këtë fakt të hidhur gjatë fjalimit të mbajtur në Samitin Vjetor të Parlamentit Global të Kryetarëve të Komunave, i cili mbahet në Shkup nga 17-19 nëntor, dhe nikoqir i saj është kryetarja e Shkupit, Danela Arsovska.

Samiti i sivjetshëm titullohet “Qytetet e fuqishme, gjithëpërfshirëse dhe të kujdesshme: Sigurimi i demokracisë dhe zhvillimit për brezat që do të vijnë” dhe ku marrin pjesë mbi njëqind kryetarë komunash, si dhe një numër i madh përfaqësuesish të organizatave ndërkombëtare, por disa detaje të fjalimit të Pendarovskit shprehin pikërisht të kundërten e realitetit që kërkohet në titullin e këtij samiti.

STEVO PENDAROVSKI, PRESIDENT

“Si shumë qytete të tjera në botë, edhe Shkupi, për fat të keq, u përball me urbanizim të shpejtë dhe të paplanifikuar, konkretizim agresiv, uzurpim të hapësirës publike dhe reduktim të sipërfaqeve të gjelbra. Urbanizimi i shpejtë ka rritur gjithashtu pabarazinë sociale, midis lagjeve elitare dhe ishujve të margjinalizuar të varfërisë që ekzistojnë brenda të njëjtit qytet”

Ky realitet është i njohur me të ashtuquajturën dy fytyrat e Shkupit, e të fatkeqësisht reflekton edhe një dallim sipas përkatësisë etnike. Lagjet elitare janë të banuara në shumicë me maqedonas, ndërsa ata që kreu i shtetit i etiketon si “ishuj të margjinalizuar të varfërisë” janë lagjet e Serovës, Gazibabës, Dizhonit, të banuara me shumicë shqiptare, si dhe komuna e Shuto-Orizares, e banuar me shumicë rome.

E ndërkohë, gjatë fjalimit në samit presidenti Pendarovski ka shtruar pyetjen retorike se si mund të rikthehet besimi i qytetarëve se mund të ndërtohet një qytet ku të gjithë të ndjehen të barabartë.

STEVO PENDAROVSKI, PRESIDENT

“Harmonizimi i nevojave dhe interesave të ndryshme të mijëra, madje miliona banorëve është masa e vërtetë e suksesit për autoritetet e qytetit. Kjo arrihet më së miri duke rivendosur të mirën e përbashkët dhe interesin publik në ndërgjegjen e qytetarëve dhe në jetën e qytetit. Natyrisht, kjo vlen edhe për Shkupin”

Megjithatë, presidenti Pendarovski deklaron se në fushën e kohezionit social, Shkupi mund të mburret me diversitetin etnik, fetar dhe gjuhësor si vlera më e madhe e shoqërisë maqedonase.