Rajon - Botë

Ushtria izraelite gjatë gjithë natës vazhdoi sulmet në Gaza

Në sulmet që ushtria izraelite ka kryer gjatë gjithë natës në pika të ndryshme të Rripit të Gazës nën bllokadë ka të vrarë dhe të plagosur, transmeton Anadolu.
Siç raporton Agjencia palestineze e lajmeve WAFA, të paktën 11 palestinezë janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur në “masakrën që forcat izraelite kanë kryer” në kampin e refugjatëve Jabalia në veri të Rripit të Gazës.

Thuhet se ushtria izraelite vazhdon bombardimin intensiv në Rripin e Gazës së bllokuar.

Avionët luftarakë izraelitë dhe njësitë e artilerisë hapën zjarr në lagjet Sheikh Radwan, Tuffah dhe Shujaiyya si dhe në rrugën Jaffa, në qytetin e Gazës dhe në rajonin Nazale.

Bëhet e ditur se ka patur të vrarë dhe të plagosur si pasojë e sulmit të Izraelit ndaj kampit të refugjatëve Bureij në Deir al-Balah si dhe ndaj një grupi të njerëzve të zhvendosur në qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës.