Osmani: BDI shqyrton mundësinë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në një datë
Bashkimi Demokratik për Integrim po shqyrton mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare së bashku vitin e ardhshëm, deklaroi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani. Megjithatë, ai tha se partia ende nuk ka një vendim formal për shkak se nuk janë mbledhur organet, por anëtarësia po mendon për datën e zgjedhjeve.
BUJAR OSMANI, ZËDHËNËSI I BDI-SË
“Ekziston një mendim mbizotërues se nga pikëpamja logjistike-financiare dhe administrative mund të jetë shumë e vështirë për shtetin që të ketë dy cikle zgjedhore çdo tre muaj, se institucionet do të paralizohen, se do të jetë një shpenzim shumë i madh, po shqyrtohet ky aspekt. Prandaj mendohet se ndoshta zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare duhet të mbahen në të njëjtën ditë, por ne jemi të hapur për të gjitha opsionet. Nuk ka asnjë vendim. Ne do të mundohemi të diskutojmë me partitë politike thjesht nga aspekti logjistik dhe financiar se ndoshta kjo është një qasje më e mirë”.
Sa i takon marrëveshjes që në 100 ditët e fundit para zgjedhjeve Qeveria të drejtohet nga një kryeministër shqiptar, Osmani thotë se kandidati do të propozohet nga BDI dhe se për këtë është rënë dakord.
BUJAR OSMANI, MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME
“Marrëveshja për një kryeministër shqiptar është arritur gjatë formimit të qeverisë që kryeministri të propozohet nga BDI në njëqind ditët e fundit dhe presim që kjo të ndodhë. Nëse zgjedhjet janë të përbashkëta, do të thotë se njëqind ditët duhet të fillojnë në fillim të janarit. Kryeministrin do ta propozojë BDI”.
Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, u ka lënë afat partive politike që të dakordohen për datën e zgjedhjeve deri në fundvit. Nëse nuk ka marrëveshje brenda asaj periudhe, Xhaferi ka bërë të ditur se do të përcaktojë vet datën për zgjedhjet presidenciale dhe nuk do të lejojë që të shkelen afatet ligjore për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Pas këtij qëndrimi të BDI-së, LSDM mbetet e vetme në kërkesën për zgjedhje të ndara, pra fillimisht presidenciale e më pas parlamentare.