Apeli shfuqizoi masën e arrestit shtëpiak për Dragi Rashkovskin
Gjykata e Apelit njofton se e ka shfuqizuar masën e arrestit shtëpiak për Dragi Rashkovskin, gjegjësisht e ka pranuar garancën e ofruar nga ai për prezencën e tij në procedurën penale ku dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Gjykata e Apelit në Shkup, duke vepruar në lëndën penale KSZh – 816/23 në seancë me dyer të mbyllura më 03.11.2023, e hodhi poshtë ankesën e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit si të pabazuar dhe me aktvendim konfirmoi Vendimin e Gjykatës Themelore Penale – Shkup, me të cilin është hequr masa e arrestit shtëpiak dhe është pranuar garancia si masë për sigurimin e pranisë ndaj të akuzuarit D.R, në kuadër të procedurës penale që zhvillohet ndaj të akuzuarit dhe për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale ‘Keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe autorizimit’ dhe veprës penale ‘Pastrim të parave’”, njoftojnë nga Gjykata e Apelit.
Ndryshe, sipas aktakuzës, Rashkovski nga qershori i vitit 2017 deri në shkurt të këtij viti me paramendim, i ndihmuar nga dy të akuzuar, bashkëpunëtorë të jashtëm, së bashku kanë kryer disa veprime. Rashkovski ka marrë ndihmë për veprën penale edhe nga një pronar kompanie. Gjithashtu, furnizimet publike nuk kanë qenë ekonomike dhe Rashkovski, duke e anashkaluar procedurën e furnizimit publik, personalisht ka dhënë udhëzime se si të përgatisin specifikacionin teknik për këto furnizime publike. Prokuroria ka vlerësuar se në këtë mënyrë të akuzuarit kanë përfituar rreth 300 mijë euro.
Nga këto para, Rashkovski nga qershori i vitit 2017 deri në maj të këtij viti ka hedhur në qarkullim më shumë se 87 mijë euro. Ndërkohë, ai ka fshehur origjinën e parave duke i vendosur në llogaritë e të afërmve të tij.
Me këto para ka shlyer edhe kreditë e marra. Në aktakuzë thuhet gjithashtu se për më shumë se 21 mijë euro, arka e shtetit është dëmtuar nga honorarist të angazhuar nga Rashkovski. Ata nuk kanë bërë asgjë, por rregullisht i kanë dhënë Rashkovskit një pjesë të honorareve të tyre.