Maqedoni

Pushteti dhe opozita fajësojnë njëra-tjetrën për vërejtjet e KE-së

Vazhdojnë reagimet dhe akuzat në lidhje me kritikiat në raportin e Komisionit Europian në mes partive në pushtet dhe opozitë.Deputetja Safije Sadiki Shahini nga koalicioni Lidhja Europiane për Ndryshim tha se kjo qeveri nuk e ka më prioritet integrimin në BE. Ajo shtoi se në kohën kur qytetarët e vendit tonë presin lajme të mira nga Brukseli, që edhe Maqedonia e Veriut ta zë hapin e hapjes së negociatave për aderim në Bashkimin Europian, është vetë Komisioni Europian që ka dhënë vlerësimin se Maqedonia e Veriut është shumë keq në pikëpamje të gjyqësorit dhe në luftën kundër korrupsionit.

SAFIJE SADIKI SHAHINI, DEPUTETE E KOALICIONIT LIDHJA EUROPIANE PËR NDRYSHIM

“Natyrisht, pushteti gjithnjë ka pasur shpjegime se qëndrimi ynë është për shkak të oponencës politike, por kur disa ambasadorë të vendeve të BE-së dhe tash edhe vetë Komisioni Europian e pohon se Maqedonia e Veriut lë shumë për të dëshiruar në kuptim të pavarësisë së gjyqësorit, duke e theksuar edhe shkarkimin kontrovers të kryetares së Këshillit Gjyqësor, nuk ka si mos të konstatojmë se autori dhe fajtori i kësaj gjendjeje nuk është anonim”.

Lidhja Europiane Për Ndryshim vlerëson se ky është raporti më negativ që ka pasur Maqedonia e Veriut nga Bashkimi Europian dhe se kjo qeveri është më antieuropiane pas vitit 2017-të.

Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski tha se vendi këtë vit ka marrë raportin më të keq historik nga Komisioni Evropian. Qëllimi i bllokadës aktive, sipas Micevskit, ishte që të parandalohej futja e ligjeve në procedurë të shkurtuar, me të cilat, siç tha ai qeveria ka dashur të anashkalojë procedurën demokratike për debat për zgjidhje të rëndësishme ligjore.

NIKOLLA MICEVSKI, DEPUTET I VMRO-DPMNE-SË

“Në fillim mund të konstatoj se Maqedonia ka marrë raportin më të keq historik nga Komisioni Evropian. Në raportin e vitit 2023, thuhet se nuk është bërë asnjë progres nga ana e bllokadës aktive. Jam i kënaqur që kjo është vërejtur sepse ne si grup parlamentar, me të ashtuquajturën bllokadë aktive që kemi zbatuar në Kuvend, në asnjë moment nuk kemi penguar procese dhe ligje të rëndësishme që kanë qenë në favor të qytetarëve dhe kjo vihet re në vetë raportin e KE-së. Bllokada aktive ishte një lloj reagimi i grupit parlamentar ndaj Qeverisë dhe shumicës parlamentare dhe kishte për qëllim parandalimin e futjes së ligjeve penale që ishin treg ndërkoalicioni i partive në pushtet”.

Mile Talevski, deputet nga rradhët e LSDM-së tha se raporti i komisionit Europian konfirmoi se VMRO-DPMNE dhe Mickoski janë “frena” të rrugës evropiane dhe reformave të vendit.

MILE TALEVSKI, DEPUTET I LSDM-SË

“Ne, deputetët e LSDM-së dhe koalicionit e theksuam këtë dhe kërkuam që DPMNE dhe e majta të mos pengojnë përparimin e vendit, të mos pengojnë reformat, të mos pengojnë rrugën evropiane. Tani e kërkon vetë Bashkimi Evropian. Por pavarësisht pengesave të opozitës, atdheu ynë vazhdon të plotësojë kushtet për rifillimin e negociatave për anëtarësim. Vendi vazhdon përpjekjet e tij për reformat në BE dhe punon çdo ditë për të përmbushur standardet evropiane, gjë që theksohet edhe në këtë raport”.

Ai potencoi se në raport është shkatërruese për VMRO-në pjesa ku thuhet se partia kryesore opozitare VMRO-DPMNE bllokoi në mënyrë aktive punën parlamentare, e cila ishte një pengesë e rëndësishme për përparimin.