Kosova e vetmja pas asnjë rekomandim nga KE-ja, Ukraina do të nis negociatat për anëtarësim
Kosova mbeti shteti i vetëm që nuk mori rekomandimin për statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian nga dhjetë vendet tjera që morën vlerësime të ndryshme në paketën e zgjerimit që u prezantua në Bruksel.
Zyrtarët evropianë thanë se dialogu me Serbinë është rruga para për Kosovën drejt BE-së.
Në konferencën për media presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se zbatimi i marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, mund të jetë një hap i madh përpara për Kosovën.
“Mendoj se është e rëndësishme që Kosova të ketë një qëllim shumë të qartë lidhur me anëtarësimin në BE, që ne të jemi të qartë se çfarë presim nga Kosova. Ne diskutuam, kur isha në rajon, për zbatimin e draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, dhe ky zbatim do të ishte një hap i madh përpara. Është në interes së Kosovës”, tha Ursula von der Leyen, kryetare e Komisionit Evropian.
Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, tha se Këshilli ende nuk ka kërkuar nga komisioni që të japë opinion për aplikimin e Kosovës.
Në raportin për Kosovën shprehjet keqardhje që Kosova dhe Serbia nuk kanë nisur t’i kryejnë obligimet e tyre nga dialogu pa parakushte dhe vonesa të tjera.
Ndërkohë, Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e negociatave të pranimit në Bashkimin Evropian me Ukrainën, ndërsa rekomandoi gjithashtu hapjen e bisedimeve me Moldavinë, pasi t’i përmbushë kushtet përfundimtare.
Ndërkohë, Gjeorgjisë, iu rekomandua dhënia e statusit zyrtar të kandidatit, nëse i plotëson kushtet e mbetura të përcaktuara nga Bashkimi Evropian.
Komisioni Evropian rekomandoi edhe hapjen e negociatave të anëtarësimit të Bosnje e Hercegovinës me BE-në, kur të arrihet shkalla e nevojshme e pajtueshmërisë me kriteret për anëtarësim.
Komisioni do t’i raportojë Këshillit deri në mars 2024 për çdo progres.
Në procesin e zgjerimit, Komisioni Evropian bën vlerësime dhe jep rekomandime, ndërkaq vendimet formale miratohen në Këshillin Evropian nga liderët e vendeve anëtare që vendosin me unanimitet.
Rekomandimet dhe raportet e miratuara më 8 nëntor në Komisionin Evropian do të jenë në rend dite në takimin e radhës të Këshillit Evropian, që do të mbahet në dhjetor.