Maqedoni

KOD: Lotaria Shtetërore shpenzon miliona euro për qira për kompani të afërta me BDI-në

Emisioni Kod në TV Telma ka zbuluar skemën në bazë të cilave, Lotaria shtetërore ka marrë objekte me qira nga persona të afërt me krerët e BDI-së. E gjithë kjo me nënshkrimin e drejtorit Përparim Bajrami, i cili më parë ka punuar në kabinetin e zv/kryeministrit Artan Grubi.
Në mesin e këtyre objekteve është edhe e kompanisë Eurovia, e cila siç dihet është një nga financuesit kryesor të BDI-së, ndërsa rregullisht fituese e shumë tenderëve shtetërore. Sipas Telmës, për hapësirën e lëshuar për Lotarinë e Maqedonisë, Eurovia do të inkasojë 3 500 euro në muaj, në 5 vitet e ardhshme.
Megjithatë hulumtimi i KOD nuk mbaron vetëm me Eurovia, por edhe me lokalin e marrë me qira në Vizbeg. Ky lokal është në pronësi të kompanisë Hej, e cila është formuar më 2 shkurt të këtij viti, ndërsa nga 17 nëntori, pronar i kësaj kompanie bëhet Puko Petrol dhe djalë i deputetit të BDI-së, Ismail Jahoski.
Kjo kompani është e regjistruar në adresën “Aradhet e Partizanëve”, në të njëjtën ndërtesë, ku selinë e ka edhe kompania K.S.A e Kushtrim Smajllaj, dhëndri i Ali Ahmetit.
Që këtu shkruan Kod, kur të mblidhet mozaiku, paraqitet skema e plotë me personazhe nga eshaloni më i lartë i partisë- BDI, në qendër të së cilës është Lotaria Shtetërore.