Maqedoni

Rreth 430 mijë persona vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut

Në vendin tonë nuk ka statistika zyrtare për numrin e saktë të personave me tension të lartë të gjakut, por mjekët internistë dhe kardiologë thonë se numri është në rritje, ndërkohë që vihet re edhe një rënie e kufirit të moshës. Edhe pse nuk ka shifra zyrtare, Ministria e Shëndetësisë me mbështetjen e Bankës Botërore përgatiti dhe publikoi rezultate të analizës për hipertensionin në vendin tonë. Sipas kësaj analize, në evidencën e shërbimeve të mjekëve amë në vitin 2020 janë regjistruar gjithsej 428.759 raste të hipertensionit . Nga këto raste 255.658 janë gra, ndërsa 173.101 janë burra. Numri më i madh bën pjesë në grupmoshën nga 65-74 vjeç.

MINISTRIA E SHËNDETËSISË

“524.000 persona të rritur janë në rrezik nga hipertensioni. Popullata e cila konsiderohet si në rrezik në të shumtën e rasteve bën pjesë në grupmoshën nga 18 deri më 54 vjet. Edhe pse vlerësimet për popullatën e rrezikuar janë të pa sigurta, statistikat e mjekëve amë tregojnë se gratë janë më të përfshira në kujdes se sa burrat në rrezik”.

Stili i keq i jetesës, gjegjësisht obeziteti, pasiviteti dhe ajri i ndotur, janë vetëm disa nga faktorët e rrezikut që kontribuojnë në shfaqjen e hipertensionit.

Sipas statistikave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në mbarë botën rreth 1,28 miliardë persona të rritur në moshë nga 30 deri në 79 vjet kanë hipertension, dy të tretat e të cilëve jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe mesatare.