Rajon - Botë

OKB paralajmëron: Pritet rritje e vdekjeve të nënave dhe të porsalindurve në Gaza

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) paralajmëron se pritet “rritje e vdekjeve të nënave dhe të porsalindurve” në Rripin e Gazës të cilën Izraeli e mban nën sulme intensive, transmeton Anadolu.

Në llogarinë e medias sociale X të Agjencisë së OKB-së për Ndihmë të Refugjatëve Palestinë në Lindjen e Afërt (UNRWA) u bë një postim lidhur me ndikimin e sulmeve të Izraelit në Gaza mbi gratë fëmijët dhe foshnjat.

“Gratë, fëmijët dhe të porsalindurit në territoret palestineze nën pushtimin izraelit, preken në mënyrë jo-proporcionale nga rritja e sulmeve”, thuhet në deklaratë në të cilën bëhet e ditur se gjithashtu preken edhe shërbimet shëndetësore të OKB-së në rajon.

“Gratë dhe fëmijët e vrarë në sulmet izraelite përbëjnë 67 për qind të humbjeve totale të jetëve. Çdo ditë vriten ose plagosen 420 fëmijë, ndonjëherë disa muajsh”, thuhet në deklaratë.

Më tej vihet në dukje se “pritet të shënohet rritje” në vdekjet e nënave dhe të porsalindurve për shkak të mungesës së qasjes në kujdes të mjaftueshëm në të gjithë Gazën dhe se ushqimi dhe uji i pamjaftueshëm dhe përfundimi i karburantit nëpër spitale shkakton rrezik për jetën.