Visar Ramadani: Ju ndryshuat ngjyrat e televizionit pas rënies së Gruevskit, por jo edhe mentalitetin e antishqiptarizmit
Shkruan Visar Ramadani
Ivan Mirçevski, ju ndryshuat ngjyrat e televizionit pas rënies së regjimit, por fatkeqësisht jo edhe mentalitetin. Ju ende jetoni në atë kohë, kur Gruevski diktoi politikën tuaj editoriale me milionat euro, paratë e mia dhe të bashkëqytetarëve të mi, kështu që u shndërruat në një medium propagande të rëndë që ushqehej me antishqiptarizëm, me galeri të lajmërimeve për vdekjen e ambasadorëve të huaj duke qenë të gjallë, glorifikim të antikuizimit – thënë thjesht, u bëtë mercenarë të “të vërtetës” së blerë në të cilën jetonim. Në kokën tuaj, edhe pas shtatë vjetësh nga rënia e regjimit, asgjë nuk ka ndryshuar, por në xhepat tuaj po. Sot në eterin tonë dhe përmes televizionit tuaj, deklarata të tipit “shqiptarët do t’i dërrmojmë”, “çka na duhen, le të shkojnë në Shqipëri”, “nuk lejohet shqiptari të drejtojë këtë apo atë ministri”, “nuk na duhet një Korridor 8 dhe Korridor 10 nëse vendoset nga një shqiptar, “Duart e NATO-s janë plot gjak”, “jo domosdoshmërisht në BE, e kemi Rusinë në anën tonë”, “do të rishikojmë Marrëveshjet e Ohrit, Prespës dhe fqinjësisë së mirë me Bullgarinë”, por për ju kjo nuk është përhapje e retorikës diskriminuese ndaj shqiptarëve, nuk është propagandë ruse kundër integrimeve euroatlantike, nuk është segregim i atyre që janë të ndryshëm në shoqëri. Kur dëgjojmë deklarata të tilla në televizionin tuaj, ju jo vetëm që nuk reagoni si sot, por jam i bindur se thellë brenda vetes thoni – faleminderit Zotit doli dikush që mund të thotë atë që mendoni ju, por ja që ju nuk guxoni aq lehtë ta thoni publikisht. Ju merrni guximin të thoni publikisht se në Maqedoni të gjithë janë maqedonas, përkatësia etnike nuk qenka prioriteti juaj. Ju (dhe kush jeni ju?) e vendosni veten mbi Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë, të cilat, për fat të mirë për veçoritë e shoqërisë sonë, sigurisht për fatin e keq tuajin, i ushqejnë ato veçori përmes bashkësive të ndryshme etnike dhe fetare si simbol i multikulturalizmit të këtij vendi!
Epo, Ivan – nëse jo sot, nesër, nëse jo nesër – një ditë, do të duhet të përballesh me një realitet të ri dhe faktin që një shqiptar në këtë vend mund të jetë edhe Kryetar i Kuvendit, edhe kryediplomat, edhe rojtar i thesarit të shtetit, edhe zëvendëskryeministër për ekonomi, edhe drejtor i Fondit të Inovacionit, dhe prokuror i lartë publik, edhe gjyqtar i lartë, edhe ndër profesorët dhe shkencëtarët universitarë më të cituar në botë, edhe inovator, edhe biznesmen i suksesshëm, gjithçka që dëshiron dhe di të jetë. Mund të jetë edhe President i shtetit, edhe Kryeministër, edhe guvernator nesër… një turk ishte kryetar i Gjykatës Kushtetuese, nesër një boshnjak mund të jetë një ministër i shkëlqyer, pasnesër një rom do të jetë një drejtor i suksesshëm. Sa më gjatë të zgjasë dehja juaj nga regjimi, aq më keq për ju, për ne të tjerët jo. Dhe kush jemi ne të tjerët? Ne që besojmë se bashkëjetesa në këtë vend është vlera më e çmuar që kemi, ne që punojmë secili në lëminë e vet për të pasur një vend të begatë, të zhvilluar dhe të integruar, që vazhdojmë të jetojmë ëndrrën me shumë përpjekje dhe punë se gjithçka është e mundur edhe këtu, që besojmë se të gjithë meritojnë shanse të barabarta dhe përgjegjësi të barabarta, pavarësisht nëse janë maqedonas, shqiptarë, turq… ne që i përkasim gjeneratës që beson në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe në aleancat tona me shtetet më demokratike dhe më të zhvilluara të botës. Me keqardhje e shohim se si luftoni kaq shumë kundër këtij realiteti, ju përvëlohen sytë çdo ditë, shpresoni se do të kthehemi para 2016-ës. Kot e keni – ndoshta ngadalë, po ne do të ecim përpara, vetëm përpara, nuk ka kthim prapa!
Së fundi, shpërthimi i juaj i sotëm në televizion kundër një njeriu që për dekadën e katërt të jetës së tij po vazhdon ta investojë të gjithë potencialin, dijen dhe përvojën e tij për bashkëjetesën, për proceset integruese të vendit tonë dhe për një të ardhme më të mirë të brezave të ardhshëm, flet se kush në të vërtetë jeni ju dhe njerëzit si ju – mercenarë që i lëndon më së shumti kur ua prek damarin e të vërtetës së dhimbshme se kush dhe çfarë jeni brenda vetes, pas kamerave. Ismet Ramadani është një nivel për ju, nga ato nivelet e paarritshme, të dëshiruara, ndoshta edhe të ëndërruara në vitet e bukura të rinisë tuaj, por fatkeqësisht jo të gjitha ëndrrat realizohen, apo jo? Ne përpara, Ivan. Ju dhe njerëzit si ju, në dhomën e pritjes, kudo, do të vijë edhe radha juaj të hipni në trenin tonë. Rruga jonë për në Bruksel, Ivan – nuk kalon nga Moska. Paçi shëndet të mirë, sidomos atë mental, regjimi ka pasoja të rënda, ju kuptoj!