Katër shtetasve të Maqedonisë i është lejuar largimi nga Gaza
Autoritetet kufitare në Gazë publikuan një listë prej 596 shtetasve të huaj dhe persona me shtetësi të dyfishtë nga 15 vende të cilëve u është lejuar që sot të largohen nga Gaza, në mesin e të cilëve edhe katër shtetas të Maqedonisë së Veriut.
Më shumë se 500 njerëzve u lejuan dje që të largohen, kur për herë të parë pas disa javëve ishte hapur vendkalimi.
Autoritete palestineze e publikuan listën me emra para orës 2 të mëngjesit sipas kohës lokale, duke treguar se personat duhet të jenë në vendkalimin kufitar në orën 7 të mëngjesit.
Ministria e Punëve të jashtme të Maqedonisë së Veriut dje e përshëndeti vendimin për hapjen e vendkalimit kufitar Rafah mes Rripit të Gazës dhe Egjiptit, me çka mundësohet evakuim i shtetasve të huaj, duke përfshirë edhe pesë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Siç informuam më parë, qytetarët tanë që ndodhen në Gazë tashmë janë të përfshirë në listat e evakuimit dhe presim që së shpejti të realizohet e njëjta sipas rrethanave në terren dhe dinamikës së evakuimit, duke pasur parasysh numrin e madh të shtetasve të huaj në Gazë të cilët janë pjesë e këtij operacioni. Nëpërmjet komunikimit të ngushtë dhe të vazhdueshëm me institucionet kompetente të Egjiptit dhe Izraelit, si dhe me qytetarët tanë, Ministria e Punëve të Jashtme është e përfshirë menjëherë dhe në mënyrë aktive, me qëllim evakuimin e shpejtë dhe të sigurt të qytetarëve tanë”, njoftoi MPJ.
Personat që janë në listën e të huajve dhe me shtetësi të dyfishtë, të publikuar nga autoritetet kufitare të Gazës, përveç katër shtetasve nga Maqedonia e Veriut, janë edhe nga Azerbajxhani (8), Belgjika (50), Bahreini (6), Çadi ( 2), Kroacia (23), Greqia (24), Hungaria (20), Itali/KB (4), Meksika (2), Holanda (20), Koreja e Jugut (5), Sri Lanka (17), Zvicra (11) dhe nga SHBA (400 ).