Nuhi: Nuk kam luajtur me fatin e pacientëve, nuk kam stërshitur barëra
Në asnjë mënyrë nuk kam luajtur me fatin e pacientëve dhe familjeve të tyre, nuk kam stërshitur barëra, as me punë të paligjshme i kam shkaktuar borxhe Klinikës së onkologjisë, tha sot Nehat Nuhi në dëshminë para Komisionit anketues.
Nuhi, i cili ishte drejtor organizativ i Klinikës së onkologjisë prej qershorit të vitit 2021 deri më 3 prill të këtij viti, përmendi se Klinikën e ka trashëguar me borxh prej pothuajse 200 milionë denarëve. Borxhi, potencoi, ishte kryesisht i krijuar nga terapia biologjike, “paraprakisht e furnizuar dhe e papaguar”.
Siç theksoi Nuhi, derisa e ka kryer funksionin, tërë kohën ka qenë i shqetësuar për shkak të trendit të rritjes së borxheve të Klinikës, kryesisht nga furnizimi dhe aplikimi i terapisë biologjike. Gjatë angazhimit të tij, shtoi, ka pasur edhe dy incidente me ç’rast ka qenë e angazhuar policia nga ai dhe nga drejtori mjekësor. Por, është bërë fjalë, sqaroi, për incidente të izoluara në të cilat nuk kanë qenë të përfshirë as mjekë, as kushdo qoftë nga menaxhmenti.
Nuhi informoi edhe se ka pasur momente kur sipas vendimit të drejtorit mjekësor, për shkak të mungesës momentale, janë furnizuar barëra me rezervë, në kundërshtim me Ligjin për furnizime publike.
“Nga ana e mjekëve dhe drejtorit mjekësor, në mënyrë të pamohueshme isha i bindur se nëse vjen deri te ndërprerja e prnaimit të terapisë, terapia mund të jetë joefikase dhe pacientët të vdesin. Nga ana tjetër, mjekët dhe drejtori mjekësor më bindën se nuk mundet një numri më të vogël të pacientëve tua japin këtë terapi në mënyrë që të mos merret me rezervë, sepse ata nuk janë zot dhe nuk mund të zgjedhin kujt tia japin, dhe kush të refuzohet. Opsion tjetër ishte të bëhet listë e pritjes së pacientëve të cilët derisa të vijnë në rend, mund ta humbin betejën me kancerin. Vendosa të luftoj për buxhete sa më të mëdha për furnizim të terapisë, në mënyrë që të jetë e kapshme në çdo kohë për të gjithë pacientët që kanë nevojë për të. Nuk kam nënshkruar rezerva si drejtor, nuk kam heshtur si njeri, me qëllim që të shpëtohen jetë, ndërkaq jo të humben për shkak të procedurave tërësisht joadekuate në shekullin 21”, tha Nuhi.
Tekstet e gazetarëve në “Fokus” për gjoja korrupsionin në Klinikë, posaçërisht e kanë tronditur, ndërkaq duke qenë se edhe personalisht ka qenë i lidhur, menjëherë, siç përkujtoi, ka dërguar demant i cili ishte publikuar.
“Ky lajm ishte në fokusin e opinionit dhe unë nga një parti politike dhe nga ana e disa mediumeve isha i shfaqur si krimineli më i madh, se si unë paskam vendosur se cili pacient të marrë terapi biologjike, e cili jo, e madje disa mediume shkuan aq larg me shpifje se unë kam shitur terapi biologjike në Kosovë, që nuk është e saktë dhe është pohim i rrejshëm me qëllim të keq për të më dëmtuar mua, imazhin dhe nderin tim. Nga ky Komision anketues dhe nga Prokuroria pres të marr përgjigje nëse shkaku për shpifje të këtillë është politik apo i ndonjë natyre tjetër”, theksoi Nuhi.