(VIDEO) Gërkovska: Autoritetet kompetente marrin udhëzime specifike për konfiskimin e suksesshëm të pronës
(VIDEO) Gërkovska: Autoritetet kompetente marrin udhëzime specifike për konfiskimin e suksesshëm të pronës
Zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politikë të qeverisjes së mirë, Sllavica Gërkovska, ka organizuar prezantimin e “Udhëzuesit” për konfiskimin e pasurisë, dokument i cili është i përgaditur me mbështetjen e Zyrës së Kombeve të Bashkuara për drogën dhe krimin, në bashkëpunim me institucionet kompetente. Ajo theksoi se ky dokument është pjesë e përforcimit të kapaciteteve për kryerjen e hetimit financiar dhe konfiskimit të pasurisë.
SLLAVICA GËRKOVSKA, ZËVENDËSKRYEMINITRE PËRGJEGJËSE PËR POLITIKA TË QEVERISJES SË MIRË
“Ky dokument është i dedikuar për prokurorët publikë dhe hetuesit nga Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Doganave dhe Policia Financiare, ndërsa një segment ka të bëjë edhe me menaxhimin e pasurisë së konfiskuar dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Udhëzimet do t’u ofrojnë hetuesve dhe prokurorëve një pasqyrë të hapave që duhet të ndërmarrin në fazën më të hershme të hetimit gjatë mbledhjes së provave për të kryer një konfiskim të suksesshëm”.
Gërkovska theksoi se në periudhën e ardhshme do të forcohet mekanizmi për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të jashtëligjshme përmes zgjedhjes ligjore për konfiskimin e pasurisë në procedurë civile.
SLLAVICA GËRKOVSKA, ZËVENDËSKRYEMINITRE PËRGJEGJËSE PËR POLITIKA TË QEVERISJES SË MIRË
“Draft-versioni tashmë i është dhënë për mendim Komisionit Evropian, sepse ne duam që ai të jetë plotësisht në përputhje me standardet europiane dhe më pas do të jetë objekt i një debati të gjerë publik, me qëllim që të vendosim zgjidhje ligjore e cila do të jetë efikase në zbatimin praktik”.
Zëvendëskryeministrja shtoi se për të arritur konfiskim të suksesshëm, hetimet penale dhe financiare të udhëzuara nga Prokurori i Përgjithshëm nuk duhet të kenë gabime dhe se për këtë shkak është e nevojshme që autoritetet hetimore të krijojnë një sistem për shkëmbim të informacioneve financiare dhe konfiskimit të pasurisë. Sipas Gërkovskës, kjo rrjedhje e informacionit duhet të jetë e koordinuar dhe në përputhje me ligjet, politikat dhe procedurat ekzistuese vendore.
Në përgaditjen e Udhëzuesit për konfiskim të pasurisë kanë marrë pjesë përfaqësues nga Prokuroria Publike, Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Zbulimit Financiar, Policia Financiare, Drejtoria e Doganave dhe Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar.