KosovëRajon - Botë

Grenelli nderohet në Serbi nga Vuçiqi, e përmend Hashim Thaçin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ia ka dorëzuar ish-emisarit të SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, Urdhrin e flamurit serb, për “shërbime të dalluara në zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit paqësor dhe të marrëdhënieve mes Serbisë dhe SHBA-së”.
Vuçiqi tha se Grenelli, “për të cilin mund të thuhet se është mik i vërtetë i Serbisë, por edhe i gjithë rajonit, në një kohë të shkurtër pati një ndikim të rëndësishëm në marrëdhëniet mes Serbisë dhe SHBA-së”.

“Roli i Richard Grenellit jo vetëm që kontribuoi në paqen dhe stabilitetin rajonal, por gjithashtu luajti rol thelbësor në përmirësimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe SHBA-së. Mandati i tij si njeri për dialog tregoi mprehtësinë e tij, por edhe aftësinë e tij diplomatike dhe mbi të gjitha gatishmërinë për t’i dëgjuar pikëpamjet e palës tjetër, edhe pse nuk ishte gjithmonë dakord. Ai tregoi diçka që pothuajse nuk kemi mundur të shohim në bashkësinë ndërkombëtare – objektivitet, ndershmrëi intelektuale e politike dhe konsistencë”, tha Vuçiq.

E Grenelli pas marrjes së çmimit tha se nuk ishte ideja e tij që “ta vinte ekonominë para politikës”, por e ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

“Do të isha shumë gabim nëse s’do ta falënderoja, pasi ishte vizion i tij – ta vendoste ekonominë dhe krijimin e vendeve të punës përpara negociatave politike”, tha Grenell.

Ai ka thënë se para tri vjetëve në Kosovë është nderuar me një çmim të ngjashëm.

“Jam i nderuar, pasi besoj se jam personi i vetëm që ka marrë çmime të ngjashme në Serbi e Kosovës”, tha Grenell. Ai tha se e do “Serbinë, popullin e Serbisë, Kosovën e popullin e Kosovës dhe se dëshiron që Serbia ta ketë një partner si Hashim Thaçi”.

“Faleminderit për mirësinë tuaj dhe dua të them se më vjen keq që nuk keni një partner si Thaçi që mund të çojë përpara gjërat që po negociohen”, ka thënë Grenell, duke u shprehur shumë kritik ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Ai ka thënë se është me rëndësi “që bashkësia ndërkombëtare t’i bëjë presion Kurtit që t’i zbatojë ato që premtoi Thaçi”.