Krerët e shtetit: 23 tetori, motivi i sotëm për krijimin e një shteti evropian
Krerët shtetëror uruan 23 tetorin- Ditën e Luftës Revolucionare të Maqedonisë. Presidenti Stevo Pendarovski tha se si para 130 vitesh edhe tani duhet t’i tejkalojmë ndarjet dhe të bashkohemi rreth qëllimit të përbashkët për shtet juridik demokratik dhe funksional, me mundësi të barabarta për jetë dhe përparim dinjitoz për secilin qytetar të tij.
STEVO PENDAROVSKI, PRESIDENT
“Në këtë ditë, saktësisht 130 vjet më parë, gjashtë të rinj themeluan organizatën revolucionare maqedonase, e cila arriti t’i bashkojë njerëzit më trima dhe më të arsimuar të kohës së tyre rreth një qëllimi të përbashkët për shtet të lirë”.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se vazhdimësia e luftës për liri dhe kontributi i revolucionarëve në realizimin e idealit shekullor të shtetit të pavarur maqedonas është motivi i sotëm për krijimin e një shteti evropian dhe të avancuar.
DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR
“Në ditën e sotme të luftës revolucionare maqedonase, me krenari i përmendim revolucionarët maqedonas dhe përpjekjen, këmbënguljen dhe guximin e tyre të jashtëzakonshëm në luftën për liri, sovranitet, pavarësi dhe shtetësi maqedonase”.
Kryeparlamentari Talat Xhaferi tha se kjo ditë është përmendore e idesë revolucionare e cila ka çuar nëpër beteja në të cilat shumë prej tyre e kanë dhuruar më të shtrenjtën, jetën.
TALAT XHAFERI, KKYETAR I KUVENDIT
“Kujtimi për betejat e vjetra të cilat na kanë sjellë deri këtu ku gjendemi tani, le të jetë përkujtues dhe mësuesi ynë për betejat e reja të përditshme të cilat i bëjmë në jetë bashkë dhe në unitet si qytetarë të një shteti bashkëkohor, demokratik, të avancuar dhe të sigurt të Republikës së Maqedonisë së Veriut.”
Ashtu si lufta e brezit revolucionar ishte për një shtet të lirë dhe të drejtë edhe lufta jonë sot duhet të jetë kundër korrupsionit, nepotizmit dhe shpërnguljes masive të të rinjve, thanë krerët shtetëror.