Maqedoni

A do të kthehen punëtorët e Higjienës Komunale në punë pas përjashtimit nga ish-drejtuesja? – “Shpresa vdes e fundit”, thonë ata

“Shpresa vdes e fundit”. Kështu pëshpëritin vazhdimisht disa nga punëtorët e Higjienës Komunale të cilët u përjashtuan nga puna tre muaj më parë, tashmë nga ish drejtuesja e këtij institucioni Kosana Mazneva.

Për rikthimin e tyre në punë ata shpresojnë t’ju ndihmojë drejtori i ri Goce Trajkovski. Këtë të fundit e kontaktuam, por nuk morëm përgjigje për të sqaruar se si do të veprohet me rastin e punonjësve të përjashtuar.

Në pritje të një vendimi, qoftë pozitiv ose negativ, punonjësit e larguar nga puna mbeten në kërkim të punëve të ndryshme për t’i siguruar ekzistencën anëtarëve të familjes.

“Shpresat po I mbajmë se drejtori I ri se do të na kthen. 24/7 kemi qenë në orar të punës edhe prap në fund na shkarkoj. Për neve me 20 ose 25 mjë denarë a mund të mbash familje. Nëse se ke edhe të dytën punë me dal e me punu diçka, me ngarku ose me shkarku nuk mundesh. Një anëtar I familjes, katër fëmijë nuk mund ti kshyr me nji rrogë, me 20 mijë denarë”, u shpreh Fatmir Ganiji, punonjës.

Nga ana tjetër, Stojançe Kashikovski, kryetar I Sindikatës SUTKOZ ku edhe bën pjesë organizata sindikale e Higjienës Komunale tha për Alsat se do të shfrytëzojë të gjitha masat ligjore dhe se është i sigurt 100% se të punësuarit e përjashtuar do të rikthehen në vendet e tyre të punës. Kashikovski tha se në rast se nuk veprohet në bazë të procedurave ligjore do të vijojnë gjoba për N.P “Higjiena Komunale”

“Ne si sindikatë ku anëtarë janë të punësuarit e Higjienës Komunale deri tek Inspektorati shtetëror i punës kemi dorëzuar edhe parashtresën e tretë me të cilën tani kërkojmë që të vendoset individualisht për çdo të punësuar dhe nëse nuk veprohet sipas vendimit të ISHP, të miratohet vendim individual për çdo të punësuar dhe të merret vendim për shqiptimin e gjobës në para për Ndërmarrjen Higjiena komunale, gjegjësisht për drejtorin. Nëse nuk veprohet sipas vendimit të ISHP-së do i shkaktohet dëm financiarë NP Higjienës komunale dhe përgjegjës për këtë do jenë udhëheqësit e ndërmarrjes”, tha Stojançe Kashikovski, Sindikata.

Në fund të muajit Korrik, Inspektorati Shtetëror i punës konstatoi se 32 punonjësit e Higjienës Komunale janë përjashtuar nga puna në mënyrë të paligjshme dhe kërkoi rikthimi e tyre të menjëhershëm. Tashmë në punë janë rikthyer 7 punonjës ndërkohë që procedura vijojnë edhe për 25 të tjerë. Sipas punëtorëve, ata u larguan nga puna për shkak se protestuan për rroga më të mëdha dhe kushte më të mira në punë. Ndërkohë, ish drejtuesja e Higjienës Komunale Mazneva largimin nga puna e kishte arsyetuar për gjoja keqpërdorimeve të shumta.