Maqedoni

Datë zgjedhjesh nuk ka, por fushata parazgjedhore ka filluar

Edhe pse zyrtarisht pushteti ende nuk e ka bërë të ditur se në çfarë muaji ose date do të mbaheshin zgjedhjet si ato presidenciale ashtu edhe ato parlamentare, jozyrtarisht si partitë e pushtetit ashtu edhe ato të opozitës, i’u kanë qasur punës, duke zhvilluar fushatë jo zyrtare.

Më aktive shihet të jetë opozita maqedonase, e cila prej kohësh e ka nisur një fushatë të titulluar “Është me rëndësi. Nga ti varen ndryshimet”. Për sot paralajmërimin e kanë që do të vizitojnë Pehçevën. Dy ditë më parë partiakët e VMRO-DPMNE-së ishin në Komunën e Gazibabës, kurse vetëm një ditë më herët ishin në Zelenikovë.

Kurse, kryeministri Dimitar Kovaçevski, “fushatën”, duket të i’a ketë nisur nga kompanitë. Javën që shkoi, ai i shoqëruar nga kabineti qeveritar vizituan kompaninë, “Mis Gllobus”, “Vivaks” dhe të premten ishte në hapjen e qendrës së re në kryeqytet “Diamond Mall”. Madje vetëm një ditë më parë, LSDM u lavdërua se Qeveria e udhëhequr nga ato, kanë investuar në 919 kompani vendore, me çka këto të fundit i kanë sjellë vendit 800 milion euro investime.

Të premten, opozita shqiptare, Lëvizja Demokratike, Lëvizja Besa dhe Alternativa e aktualizuan çështjen e kandidatit për president, me ç’rast bënë me dije se ato në zgjedhjet presidenciale do të garojnë me një kandidat të përbashkët. Madje, kreu i LD-së, Izet Mexhiti ka thënë se edhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari ka qëndrime të ngjashme me opozitën.