Diplomatët perëndimorë, në Kosovë dhe Serbi
Nëse nuk ka dialog mes Kosovës dhe Serbisë mund të ketë përsëritje të përshkallëzimit. Me këtë mesazh pesëshja diplomatike e udhëhequr nga Lajçak, pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti udhëtoi për në Beograd për takimin me presidentin serb Vuçiq. Lajçak, tha se “çfarëdo kushti, apo çfarëdo vonese për normalizimin e marrëdhënieve është e papranueshme”.
“Dialogu nuk ka alternativë, sepse dialogu sjell normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe hap rrugën evropiane për Kosovën dhe Serbinë. Pra, sulmet në Banjska të 24 shtatorit kanë ndryshuar shumë gjëra, dhe unë mendoj se kam qenë shumë i qartë, ato duhet të hetohen siç duhet, duhet të nxirren përfundime, dhe autorët duhet të përballen me pasoja. Në të njëjtën kohë, dialogu duhet të vazhdojë dhe në fakt është më i rëndësishëm se kurrë, sepse nëse nuk ka dialog, mund të ketë përsëritje të përshkallëzimit dhe kjo nuk është ajo që duam. Dhe jam i sigurt se kjo nuk është ajo që ju dëshironi, dhe për këtë jemi këtu, dhe prandaj duam të ecim përpara me procesin e normalizimit dhe zbatimit të asaj që u ra dakord në Ohër”, deklaroi Mirosllav Lajçak, I dërguar i BE-së për dialogun.
Ai theksoi se Kurti, si kryeministër i Kosovës, “ka përgjegjësi të bëjë përparim në normalizimin e marrëdhënieve, nëse Kosova dëshiron të bëjë përparim drejt BE-së.
“Këtu, ne duhet ta nënvizojmë nevojën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë pa asnjë vonesë tjetër. Pa këtë, nuk do të ketë përparim në rrugën evropiane të Kosovës”, shtoi Mirosllav Lajçak, I dërguar i BE-së për dialogun.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti u ka thënë diplomatëve se për vendin e tij çështja më urgjente është siguria e shtetit të qytetarëve, kufijve dhe territorit. Kurti tha se pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, “ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje”.
“Pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje. Në takim u bisedua për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht zbatimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit të tij (Ohër, 18 mars). Kryeministri theksoi që është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re”, thuhet në njoftimin e kabinetit të Kurtit.
Nga ana tjetër edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, pas takimit me deputeten britanike, Alicia Kearns, ka përsëritur kërkesën ndaj komunitetit ndërkombëtar për ta ndëshkuar Serbinë për sulmin e muajit të kaluar në veri të Kosovës.