Maqedoni

Lajçak: Normalizimi më urgjent se kurrë, kushtëzimi apo vonesat të papranueshme

Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, zëvendës ndihmës sekretari i SHBA-së, Gabriel Escobar dhe këshilltarët e liderëve shtetërorë të Gjermanisë, Francës e Italisë, u takuan me kryeministrin Albin Kurti, të cilit i kërkuan depërshkallëzimin dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, rikthimin në dialog por edhe respektimin e marrëveshjeve të nënshkruara. Të gjitha këto thanë se do t’i kërkojnë sot edhe në Beograd në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Takimi zgjati rreth dy orë. E pas takimit për media foli vetëm përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak i cili, përveç se tha që e vlerësojnë gatishmërinë e kryeministrit Kurti për të vazhduar së shpejti diskutimet, theksoi se Bashkimi Evropian do të insistojë që të bëjë hetime të plota dhe të nxjerrë përfundime në mënyrë që të mos ketë ikje apo largim të autorëve të sulmit terroristë në veri të Mitrovicës, më 24 shtator.
Sipas tij, dialogu nuk ka alternativë, sepse vetëm kështu vjen normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe hapet rruga evropiane për Kosovën dhe Serbinë.

Lajçak u tha mediave se me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, kanë pasur një diskutim të thellë dhe përmbajtjesor se si të avancohet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të arrihet progres në zbatimin e marrëveshjes së rrugës së normalizimit.

“Ne dëgjuam me vëmendje qëndrimet e kryeministrit Kurti dhe shqetësimet e tij për situatën e sigurisë në veri të Kosovës. Dhe këtu dua të them se sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës nga persona të armatosur përbën një përshkallëzim të qartë dhe të paprecedentë. I shprehëm ngushëllimet tona Kryeministrit, dhe dënuam ashpër sulmin e 24 shtatorit. E kemi bërë shumë të qartë se të gjithë autorët duhet të dalin para drejtësisë dhe presim bashkëpunim të plotë të Serbisë dhe veprim konkret në këtë drejtim. Ngjarjet e 24 shtatorit gjithashtu theksuan shumë qartë se si de-përshkallëzimi ashtu edhe normalizimi janë tani më urgjente se kurrë. Çdo kusht apo vonesë është e papranueshme dhe presim që Kosova dhe Serbia të përmbushin plotësisht detyrimet e tyre për dialog. Dhe ngjarjet e 24 shtatorit nuk e largojnë këtë dhe as nuk e ndryshojnë faktin se Kosova dhe Serbia kanë hyrë në një marrëveshje për rrugën e normalizimit në fillim të këtij viti. Si kryeministër i Kosovës, kryeministri Kurti ka përgjegjësi të bëjë përparim në normalizimin e marrëdhënieve nëse Kosova dëshiron të bëjë përparim drejt Bashkimit Evropian. Dhe këtu duhet të theksojmë nevojën që pa vonesa të vazhdohet me themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Pa këtë nuk do të ketë përparim në rrugën evropiane të Kosovës. E vlerësojmë gatishmërinë e kryeministrit Kurti për të vazhduar së shpejti diskutimet tona. Tani siç e dini, ne do të vazhdojmë misionin tonë në Beograd, ku do të takohemi me presidentin Vuçiq”, tha ai.

Lajçak është pyetur nëse ka ndonjë plan për takimet e sotme në Kosovë dhe Serbi, veçanërisht për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ne kemi gjithmonë një plan. Pra, ne kemi një plan. Ne kemi diskutuar planet tona me kryeministrin Kurti, ndërsa planin tonë do ta diskutojmë me presidentin Vuçiq gjatë ditës së sotme. Kështu do e kuptoni, por nuk do të hyj në detaje në këtë pikë. Së dyti, dialogu nuk ka alternativë, sepse dialogu sjell normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe hap rrugën evropiane për Kosovën dhe Serbinë. Pra, sulmet në Banjska të 24 shtatorit kanë ndryshuar shumë gjëra, dhe unë mendoj se kam qenë shumë i qartë, ato duhet të hetohen siç duhet, duhet të nxirren përfundime, dhe autorët duhet të përballen me pasoja. Në të njëjtën kohë, dialogu duhet të vazhdojë dhe në fakt është më i rëndësishëm se kurrë, sepse nëse nuk ka dialog, mund të ketë përsëritje të përshkallëzimit dhe kjo nuk është ajo që duam. Dhe jam i sigurt se kjo nuk është ajo që ju dëshironi, dhe për këtë jemi këtu, dhe prandaj duam të ecim përpara me procesin e normalizimit dhe zbatimit të asaj që u ra dakord në Ohër”, tha ai.

E kur është pyetur për njëanshmërinë që u akuzua nga kryeministri Kurti kohë më parë, Lajçak tha se ai e mban anën e Bashkimit Evropian.

Sipas tij, BE dhe NATO po hetojnë faktet për sulmin ndaj policëve në veri dhe shumë shpejt do të ketë informata për rezultatet.

“Proceset janë duke vazhduar. Bashkimi Evropian, NATO padyshim që janë shumë të zënë me vërtetimin e fakteve, dhe mendoj se do të vijë së shpejti koha kur do të informoheni për rezultatet….Unë thashë se këto janë ngjarje të paprecedentë dhe shumë të rënda, dhe Bashkimi Evropian do të insistojë që të bëjë hetime të plota dhe të nxjerrë përfundime në mënyrë që të mos ketë ikje apo largim të autorëve. Kjo është shumë e qartë”, tha ai.

Kurse, sa i përket çështjes së importit të mallrave, tha se është në rend dite dhe po diskutohet në kuadër të dialogut, ku shtoi se preferenca e tyre e fortë është heqja e të gjitha barrierave për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, dhe hapja e mundësive të reja ekonomike për rajonin.

Përveç Lajçak dhe Escobar, në takim me Kuritn ishin edhe zyrtarët e lartë nga Franca, Emanuel Bonne, Gjermania, Jens Plotner dhe Italia, Francesco Talo.

Pas këtij takimi ata do të vizitojnë edhe Beogradin.