Kosovë

​ Kurti: Nuk mund të ketë normalizim pa siguri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar vizitën e emisarëve evropianë e amerikanë që mbërrijnë të shtunën në Kosovë. Kurti shprehet se nuk e di se çfarë do të ofrojë pesëshja diplomatike, por thekson se nuk ka normalizim pa siguri. Sipas tij, është koha që të gjithë të kuptojnë se kush është Serbia dhe ta sanksionojnë atë. Përfaqësuesi i posaçëm i bllokut për dialogun, Miroslav Lajçak, i shoqëruar nga këshilltarët e lartë të liderëve të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, udhëton këtë të shtunë drejt Kosovës e Serbisë. Ata do takohen me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

“Unë mund të them se nuk mund të kemi normalizim pa siguri dhe siguria e Republikës së Kosovës duhet të jetë prioritet edhe për institucionet e shtetit por edhe për popullin e shoqërinë, për këtë ne punojnë ditë e natë. Në dhjetorin e vitit të kaluar i kishim tri javë 16 barrikada në veri. Më 26 ishte një sulm terroristë ku është vrarë heroi i Kosovës Afrim Bunjaku. Është jetike për Kosovën, demokracinë por edhe për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi që ata që nuk e kanë ditur ose nuk e kanë kuptuar se kush është Serbia dhe Beogradi zyrtar, më në fund duhet ta bëjnë këtë sepse nuk është Kosova që duhet t’i vënë masa ndëshkuese por është Serbia ajo që duhet t’i vendosen sanksionet”.