Rajon - Botë

Lufta në Izrael/ Komisioni Evropian nis hetim për lajmet e rreme në rrjetet sociale

Komisioni Evropian njoftoi nisjen e një hetimi për përhapjen e “informacionit të rremë” dhe “përmbajtjes së paligjshme” në mediat sociale (Facebook, Instagram, TikTok) në lidhje me sulmet nga Hamasi në Izrael.

Komisioni Evropian i ka dërguar një kërkesë zyrtare për informacion platformave si pjesë e legjislacionit të ri të Shërbimeve Dixhitale Evropiane (DSA).

Në veçanti, KE kërkon informacion mbi masat që Meta dhe TikTok kanë marrë për të përmbushur detyrimet e tyre në lidhje me vlerësimin dhe zvogëlimin e rrezikut të përhapjes së përmbajtjeve të paligjshme dhe dezinformatave, pas sulmeve terroriste nga Hamasi në Izrael.

Në lidhje me TikTok, Komisioni kërkon më shumë informacion mbi masat që ka marrë për të reduktuar rrezikun e përhapjes së përmbajtjeve të paligjshme, në veçanti përhapjen e përmbajtjes terroriste dhe të dhunshme, gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin. Përveç kësaj, kërkesa e Komisionit ka të bëjë me pajtueshmërinë e TikTok me mbrojtjen e të miturve në internet.

Vihet re se Meta dhe TikTok kanë afat deri më 25 tetor për t’iu përgjigjur Komisionit. Në bazë të përgjigjeve, Komisioni do të vlerësojë hapat e ardhshëm. Sipas Aktit të ri të Shërbimeve Dixhitale (DSA), Komisioni mund të vendosë gjoba për informacione të pasakta, të paplota ose mashtruese në përgjigje të kërkesës së tij.

Një kërkesë e ngjashme është dërguar pak ditë më parë në platformën “X”. “Ne nuk do të lejojmë që frika dhe dezinformata të na ndajnë ose të minojnë demokracinë tonë,” tha dje nga Parlamenti Evropian Komisioneri i Tregut të Brendshëm Thierry Breton.