“Akuza false”, avokati i Benzema ka një mesazh për ministrin francez
Polemika në Francë në lidhje me Karim Benzema. Ish-kapiteni i Real Madrid postoi në rrjetet sociale pro Palestinës, teksa shkroi:
“Të gjitha lutjet shkojnë për popullin në Gaza, që edhe njëherë bëhet viktimë e bombardimit të padrejtë, që nuk kursen as gratë dhe fëmijët”.
Ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin akuzoi fituesin e Topit të Artë 2022 se ka lidhje me Vëllazërinë Myslimane.
“Karim Benzema ka lidhje të forta, siç të gjithë e dimë, me Vëllazërinë Myslimane”, duke mos dhënë detaje të tjera rreth kësaj akuze.
Ashpër reagoi edhe senatorja republikane franceze, Valerie Boyer. E cila kërkon që 35-vjeçarit t’i hiqet pasaporta dhe trofeu i Topit të Artë.
“Nëse, siç pretendon Ministri i Brendshëm, Karim Benzema është ‘i lidhur me Vëllazërinë Myslimane’, kërkoj sanksione.
Përkatësisht heqjen e shtetësisë. Është urgjente të veprohet kundër atyre që kërcënojnë vazhdimisht vendin tonë”.
Avokati i sulmuesit të Al Ittihad në Arabinë Saudite, Hugues Vigier hodhi poshtë akuzat dhe mohoi lidhjen e Benzema me grupime terroriste.
“Akuza false! Benzema nuk ka pasur kurrë as më të voglën marrëdhënie me këtë organizatë. Ai zgjodhi të jetojë në Arabi, ku organizata e lartpërmendur u shpall ‘terroriste’, diçka që Franca nuk e ka bërë kurrë…
Le të vlerësojmë një procedim ndaj ministrit, duke zbatuar për shembull ligjin për manipulimin e informacionit kaq të dashur për qeverinë tonë.
Por edhe për shpifje apo fyerje, duke qenë se kjo lidhje me Vëllazërinë Myslimane, e cila është inekzistente, dukshëm paraqitet si akuzë nënçmuese.
Nuk është e pranueshme që ata që na qeverisin të besojnë se janë të autorizuar të veprojnë vetëm nga oportunizmi”, theksoi përfaqësuesi ligjor i goleadorit të njohur.