Maqedoni

Stërvitja më e madhe ushtarake në vend, Krivollaku do të bashkojë katër shtete

Kazerma Ilinden në Shkup.
Dy helikopterë janë gati për t’i marrë gazetarët e për t’i dërguar në poligonin për stërvitje ushtarake Krivollak.
Krivollaku është një ndër poligonet më të mëdha në vend.
Pas 15 minutave fluturim, arritëm.

Në këtë vend do të mbahet stërvitja më e madhe ushtarake në kuadër të Defender Europe 2021.
“Goditje Vendimtare” është emri i stërvitjes ku bashkë me ushtarët e vendit, do të jenë përkrah edhe ushtarë të SHBA-së, Greqisë dhe Bullgarisë.
Gjeneralët ushtarak të këtyre vendeve thanë se ky ushtrim i përbashkët ndihmon zhvillimin e ushtrisë në anën strategjike.

“Ky ushtrim është një shembull i fortë se si Maqedonia e Veriut është e gatshme të bashkëpunojnë bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me shtetet e tjera të NATO-së dhe ushtritë e tyre, me çka Maqedonia e Veriut veç më kontribuon për Aleancën”, deklaron Pit Rowell, gjeneral ushtrie i SHBA-së.

Ministrja e Mbrojtjes Radmilla Sheqerinksa tha se përveç ushtrimeve kjo ka bërë që të përmirësohen kushtet edhe në poligonin Krivollak ku bashkë me inxhinierë amerikan kanë rregulluar disa pjesë të këtij poligoni.

“Stërvitja është specifike në shumë drejtime, sot keni dëgjuar për ta në brifing, megjithatë ka një mesazh që don të thotë që bashkë jemi më të fortë dhe bashkë mundemi më shumë”, tha Shekerinska.

Nga dita e hënë në këtë fushë të madhe do të ketë stërvitje të forta ku do të ketë makineri të rëndë ushtarake.

“Këtu është vendi ku do të mbahet stërvitja më e madhe ushtarake në Krivollak. Këtu do të marrin pjesë 300 përfaqësues të ushtrisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, 20 nga Greqia dhe 20 nga Bullgaria”, raporton gazetari, Afrim Jonuzi.

Ndërsa nga Ushtria e Maqedonisë së Veriut do të marrin pjesë 1100 ushtarë.
Ushtrimet në vend do të fillojnë me 17 maj deri më 2 korrik.
“Defender Europe 2021” do të jetë një prej stërvitjeve më gjithëpërfshirëse në rajon që prej Luftës së Ftohtë.
Stërvitja ushtarake në fjalë, e cila do të realizohet me pjesëmarrjen e rreth 31.000 trupave në vendet e rajonit, shihet si pjesë e planit të përbashkët të mbrojtjes që do të sigurojë siguri në Ballkanin Perëndimor dhe Detin e Zi.