Rajon - Botë

Evakuimi në Gaza, lideri i Hamasit: Askush nuk do ta lërë vendin, nuk do të ketë asnjë migrim

Udhëheqësi i grupit islamik palestinez Hamas tha se palestinezët nuk do të largohen nga Gaza apo Bregu Perëndimor për të emigruar në Egjipt. Ismail Haniyeh e bëri deklaratën nga një vend i panjohur përmes një adrese televizive.

“Nuk do të ketë asnjë migrim nga Gazadhe as nga Bregu Perëndimor. Asnjë migrim nga Gaza në Egjipt.’’Luftëtarët e Hamasit nisën sulmet vdekje prurëse ndaj civilëve dhe ushtarëve izraelitë një javë më parë nga Rripi i Gazës. Izraeli paralajmëroi mbi një milion banorë në veriun e Rripit te Gazës të largohen pasi kërcënon të nisë një ofensivë tokësore në enklavë.

Situata ka alarmuar Egjiptin te cilin e ndan një kufi me Gazën ashtu si shtetet e tjera arabe. Egjipti ka thënë se palestinezët duhet të qëndrojnë në tokat e tyre ndërsa lufta përshkallëzohet dhe se po punon për të siguruar dërgimin e ndihmave në Rripin e Gazës.
“Dhe këtu, unë do të doja gjithashtu të përshëndes qëndrimin e vëllezërve tanë në Egjipt, të cilët thonë se Egjipti është me të vërtetë vëllai ynë dhe një strehë që mirëpret popullin palestinez, por jo për shkak të migrimit apo shpërnguljes. Asnjëri prej nesh nuk mund ta pranojë këtë. Dhe unë u them vëllezërve e motrave në Egjipt, vendimi ynë është të qëndrojmë në vendin tonë. Dhe duke qëndruar përballë planit sionist që mbështetet nga administrata amerikane, ne do ta bëjmë atë të dështojë, me vullnetin e Zotit.“

Lideri i Hamasit shpreson në mbështetjen e vendeve myslimane, por thekson edhe mbështetjen ndaj popullit të Palestinës që po jepet përmes protestave në kontinentin amerikan dhe atë europian, përmes te cilave behet thirrje pro popullit te Palestinës.Izraeli thotë se urdhri i evakuimit është një gjest humanitar për të mbrojtur banorët nga dëmtimi, ndërkohë që çrrënjos luftëtarët e Hamasit. Kombet e Bashkuara thonë se kaq shumë njerëz nuk mund të zhvendosen në mënyrë të sigurtë brenda enklavës së rrethuar, pa shkaktuar një fatkeqësi humanitare.

Qindra mijëra nga 2.3 milionë banorët e Gazës kanë ikur nga shtëpitë e tyre. Fati i refugjatëve palestinezë është një nga çështjet më të mprehta në procesin e paqes izraelito-palestinez. Palestinezët dhe shtetet arabe thonë se një marrëveshje duhet të përfshijë të drejtën e atyre refugjatëve dhe pasardhësve të tyre për t’u kthyer, diçka që Izraeli e kundërshton.