Grubi: Tani për tani, mbetemi në qëndrimin për 100 ditë kryeministër shqiptar
Nëse nuk miratohen ndryshimet kushtetuese, zgjedhjet parlamentare do të mbahen në mandatin e rregullt dhe vendimi për 100 ditë kryeministër shqiptar do të zbatohet, ndërsa kush do të jetë kryeministër i tillë do të vendos lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, vendimet e të cilit janë më të mirat për qytetarët, gjë që është dëshmuar shumë herë më parë, tha zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi.
“Tani për tani mbetemi në qëndrimin për 100 ditë kryeministër shqiptar, nëse VMRO-DPMNE-ja nuk i voton ndryshimet kushtetuese atëherë do të heqim dorë. Në marrëveshjen e koalicionit me LSDM-në, thuhet se kandidati për kryeministër shqiptar duhet të propozohet nga BDI-ja, nga zoti Ahmeti. Vendimet e tij për shtetin kanë qenë gjithmonë të mira dhe të gjithë qytetarët kanë parë të mira prej tyre”, tha Grubi në një intervistë për TV Kanal 5.
Ai theksoi se gjëja më e mirë për vendin në këtë moment është kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe shtoi se nuk është e vërtetë që BDI e mban “situatën në kontroll” në Qeveri.
Për Bullgarinë, tha se mund të ketë kërkesa të reja për vendin në procesin e anëtarësimit vetëm në kuadrin e negociatave, por jo në bazë të historisë.
Ai ka theksuar se BDI ka vija të kuqe për koalicion me ata që nuk e respektojnë marrëveshjen kornizë të Ohrit dhe që janë kundër integrimeve euroatlantike të vendit. Ai nuk e përjashton mundësinë e koalicionit me VMRO-DPMNE-në nëse i pranojnë ndryshimet kushtetuese para zgjedhjeve ose menjëherë pas zgjedhjeve.
“Nga VMRO-DPMNE thonë se ndryshimet kushtetuese do t’i votojnë pas zgjedhjeve, por asnjë nga partnerët tanë strategjikë nuk beson në këtë. Për të qenë brutalisht i sinqertë, përveç nesh, asnjë nga partnerët strategjikë nuk beson se nëse ka zgjedhje VMRO-DPMNE do të votojë për ndryshimet kushtetuese”, tha Grubi.
Ai pret që në zgjedhjet e ardhshme të fitojë fronti pro evropian, pavarësisht nëse do të shkojnë me LSDM-në me lista të përbashkëta apo jo, dhe shtoi se pret që BDI të fitojë në bllokun shqiptar.