Ushtarëve të FSK-së u dërgohet thirrje “alarm” që të paraqiten në bazat e tyre
Shtëpia e Bardhë ka dalë me një njoftim dje ku shprehen shqetësimet lidhur me mobilizimet ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën. Kreu i Qeverisë së Kosovës ka thënë se e ka siguruar këshilltarin e Joe Biden për bashkëpunimin e vazhdueshëm të Policisë së Kosovës me KFOR-in.
Ndërsa sot FSK është thirrur në gjendje gatishmërie. Gazeta Insajderi ka mësuar përmes burimeve se ushtarët e FSK-së nga ora 04:00 e mëngjesit kanë pranuar një telefonatë siç e quajtën ata “alarm”.
Në këtë thirrje atyre iu kërkua që të shkojnë në bazë.
Por, Ministri i i Mbrojtjes në Kosovë, Ejup Maqedonci, tha për Gazetën Insajderi, se kjo ishte thirrje për gatishmëri por, sipas tij kjo është e zakonshme.
“Ka qenë një gjendje e rregullt e gatishmërisë të njësive në thirrje, që praktikohet zakonshëm në FSK”, tha ministri për Insajderin.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot në fjalën e tij para Këshillit të Përgjithshëm të VV-së ka thënë se për shkak të zotimit të ish-preisdentit Hashim Thaçi, FSK-ja s’mund të vendoset në veri.
“Është zotimi i njëanshëm ndaj NATO-s i një pararendësi tim që nuk lejon FSK-në të futet në veri, por kufiri ynë duhet të ruhet. Ky vakum që është atje duhet të mbushet. Për këtë jemi duke shtuar bashkëpunimin me partnerët e aleatët tanë ndërkombëtarë, e ata praninë e NATO-s, KFOR-it atje”, tha Kurti
Ndryshe kreu i Qeverisë së Kosovës ka thënë se e ka siguruar këshilltarin e Joe Biden për bashkëpunimin e vazhdueshëm të Policisë së Kosovës me KFOR-in dhe se përkushtimi i Kosovës për të mbrojtur të gjithë qytetarët është i palëkundshëm.
Edhe Koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, shprehu shqetësimin e Uashingtonit, për siç tha, “dislokimin e madh” të trupave të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën.
Po ashtu sot përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i bëri thirrje Serbisë të shtunën ta ndalë menjëherë zhvendosjen e ushtrisë përgjatë kufirit me Kosovën dhe t’i tërheqë trupat e vendosur deri tani.