Maqedoni

“Dënimet për pedofilët u ulën kur Besa, Alternativa dhe Mexhiti ishin në Qeveri”, kështu Lloga i demanton akuzat e opozitës

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga në Facebook ka demantuar akuzat e opozitës, ku thuhet se Kodi i ri Penal do t’i dënojë më pak personat që abuzojnë seksualisht me fëmijët nën moshën 14 vjeçare. Sipas Llogës, ligji në fjalë është propozuar në 2021 kur në Qeveri ka qenë Lëvizja Besa me Izet Mexhitin dhe ka vazhduar përsëri me Izet Mexhitin dhe me Alternativën përsëri në Qeveri 2022/2023 dhe është votuar në Kuvend në kohën kur ai nuk ka udhëheqë me Ministrinë e Drejtësisë, përcjell Nistori.

“Ligji në fjalë është propozuar në 2021 kur në Qeveri ka qenë Levizja Besa me Izet Mexhitin dhe ka vazhduar përsëri me Izet Mexhitin dhe me Alternativën përsëri në Qeveri 2022/2023 dhe është votuar në Kuvend në kohën kur unë nuk kam udhëheq me Ministrinë e Drejtësisë. Në lexim të parë arritëm të gjejm materialet se kanë votuar PËR: Izet Mexhiti, Kastriot Rexhepi, Fadil Zendeli, Hysni Ismaili etj. Me përgjegjsin me të lartë morale, penale dhe materiale demantoj pretendimet e juaja dhe se gjysëm e verteta nuk i bën nder askujt, përkundrazi dëmton të vërtetën”, shkruan Lloga.

Ndër të tjera, ai shton se ngritja e këtyre temave nga amatorë partiakë në studio televizive pa marrë qëndrime të ekspertëve të fushës jo vetëm se e dëmton kauzën dhe luftën kundër pedofilisë, por i sjellë huti dhe pasiguri opinionit të gjërë.