Maqedoni

Nisen për shtëpi shtatë shtetasit e Maqedonisë që ishin në fshatin Banjskë ku u zhvilluan përleshjet

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani ka njoftuar janë nisur për në shtëpi 7 shtetasit e Maqedonisë së Veriut, që ishin në një hotel pranë manastirit ku u strehuan terroristët që sulmuan Policinë e Kosovës, në fshatin Banjskë të Zveçanit, përcjell TV21. Osmani thotë se të njëjtit janë nën shoqërimin e Policisë së Kosovës.

“Pas intervistimit dhe analizave të zakonshme nga policia e Republikës së Kosovës, sot në mëngjes qytetarët tanë janë nisur të sigurt për në shtëpi, të shoqëruar nga policia e Kosovës. Rrethanat në të cilat u gjendën ishin komplekse, duke qenë se ata ishin të akomoduar në një hotel, në afërsi të vendit ku ndodhi sulmi me armë ndaj policisë. Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme është njoftuar menjëherë për këtë situatë përmes kanaleve të rregullta dhe kam biseduar personalisht me kolegen time Donika Gërvalla-Shvarc. Gjatë gjithë procesit, shërbimet e Kosovës garantuan sigurinë e qytetarëve tanë dhe ambasada jonë në Prishtinë ishte në kontakt të vazhdueshëm me ta”, ka shkruar Osmani./tv21.tv