Diaspora

Apel i deputetes shqiptare në Kroaci: Politika kosovare të bashkohet përballë Serbisë! Shpërndajeni!

Deputetja shqiptare në Kuvendin e Kroacisë, Ermina Lekaj Përlaskaj është e palodhshme në afirmimin e shqiptarëve në Kroaci, por edhe në afirminin e pozicioneve të Kosovës. Në një intervistë ekskluzive për portalin Lideri.mk nga Shkupi, ajo u bën apel politikanëve kosovarë të jenë të bashkuar përballë Serbisë, sepse përçarjet i konvenojnë Beogradit.

“Me rëndësi është që në rajon të mbretërojë paqa dhe stabilititeti, të gjithë të jemi të fokusuar në arritjen e qëllimeve në frymën evropiane. Është me rëndësi që politika kosovare të jetë e bashkuar lidhur me negociatat përballë Serbisë, sepse çdo ndarje mund të dëmtojë pozicionin e Kosovës”, thotë deputetja Lekaj Përlaskaj për Lideri.mk.

Ajo thekson se Kroacia është ndër shtete që i jep përkrahje më të fuqishme Kosovës dhe këtë e ka dëshmuar presidenti Zoran Millanoviq në fjalimin e mbajtur në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Modelin kroat të pakicave e sheh si bazë të mirë për të cilin duhet ta pranojë edhe pakica serbe në Kosovë, duke shtuar se kërkesa për status special të serbëve në Kosovë mund të nxisë kërkesa të njëjta edhe në Serbi.

“Modeli në të cilin Kroacia i trajton pakicat mund të jetë një bazë e mirë për rregullimin e kësaj çështje edhe në Kosovë, sepse modeli kroat është model mjaft i avancuar që vlerësohet në kuadër të BE-së. Kjo nuk është në dëm të Serbisë siç vlerëson Vuçiqi, sepse çdo kërkesë për status special për serbët e Kosovës, mund të nxisë kerkesa të njëjta për reciprocitet, siç ka theksuar edhe presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj në fjalimin e tij në Kombet e Bashkuara në Nju Jork”, thekson deputetja shqiptare në Kroaci në deklaratën e saj ekskluzive për Lideri.mk.

Anëtarësimin e shpejtë të Kosovës në NATO, OKB dhe BE e konaideron si proces në favor të zgjidhjes finale dhe mbyllje të kontestit me Serbinë.

“Mendoj se Kosova duhet të bëhet sa më shpejtë anëtare e NATO-s, e Kombeve të Bashkuara dhe të njihet nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Me këtë do të lehtësohej në masë të madhe edhe dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit për çështje teknike dhe për njohjen finale reciproke”, thekson deputetja shqiptare në Kroaci, Ermina Lekaj Përlaskaj./Lideri