Kosovë

Paralajmërimet e Vuçiqit për vizitë në Kosovë, Sveçla: Për me leje, te Kryeministri, për pa leje te unë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka folur të martën lidhur me paralajmërimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për vizitë në Kosovë.

Ai ka paralajmëruar se nëse Vuçiq nuk ka leje për vizitë dhe hyn në Kosovë do të arrestohet.

“Për me leje, te Kryeministri, për pa leje te unë”, është shprehur Sveçla në ATV.

“Është çështje vendimmarrëse e Kryeministrit në qoftë se ka kërkesë, a i jep leje apo jo Vuçiqit. E, për pa leje, pastaj dihet cilat institucione merren me të… kaq”.

I pyetur nëse do të arrestohet nëse hyn në Kosovë pa leje, ai tha “nëse futet në Kosovë, pa asnjë dyshim. Si po mendoni ju që dikush, shtetas i huaj mund të futet në Republikën e Kosovës pa lejen e institucioneve të Kosovës”.

“Cilat janë pasojat? Pasoja është që thjesht nuk ke shtet nëse kreu i shtetit tjetër futet pa leje në territorin tënd”, tha Sveçla.

Ai madje tha se beson se Vuçiq është aq i krisur që të vijë në Kosovë pa leje.

Ditë më parë Vuçiq tha se sapo t’i jepet “leja demokratike” do të shkojë në Graçanicë dhe pastaj edhe në Prishtinë.

Madje theksoi se nuk do t’i kërkojë leje as kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

E lidhur me këtë ishte kundërpërgjigjur edhe kryeministri Albin Kurti.

Kryeministri tha se në momentin që Vuçiq do ta dërgojë kërkesën, do ta analizojë me seriozitetin dhe sinqeritetin e tij më të lartë.

“A e keni parë kërkesën? Kur të na e dërgon kërkesën, do ta analizojmë me seriozitetin dhe sinqeritetin më të lartë”, ishte shprehur Kurti.