Kosovë

Sveçla: Nëse Vuçiq hyn pa leje në Kosovë e arrestojmë, por s’besoj se është aq i krisur

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka komentuar deklaratën e para disa ditëve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se shumë shpejt do ta vizitojë Kosovën.

“Për me leje, te kryeministri, për pa leje te unë”, ka deklaruar Sveçla.

I pyetur se a po thotë se do ta arrestonin Vuçiqin, Sveçla tha se kushdo që futet pa leje në territorin e Kosovës do të arrestohet, përfshirë edhe presidentin serb.

“Është çështje vendimmarrëse e kryeministrit në qoftë se ka kërkesë, a i jep leje apo jo Vuçiqit. E, për pa leje, pastaj dihet cilat institucione merren me të”.

“Nëse futet në Kosovë, pa asnjë dyshim. Si po mendoni ju që dikush, shtetas i huaj mund të futet në Republikën e Kosovës pa lejen e institucioneve të Kosovës”, në emisionin DPT te Fidani.

Po të ndodhte e kundërta, Sveçla tha se kjo do të dëshmonte jo shtetësi nga ana jonë.

“Cilat janë pasojat? Pasoja është që thjesht nuk ke shtet nëse kreu i shtetit tjetër futet pa leje në territorin tond”, mirëpo, ka deklaruar Sveçla, “unë nuk besoj që Vuçiq është aq i krisur që të vijë në Kosovë pa leje”.