Paralajmërohet shtrenjtimi i naftës dhe i produkteve ushqimore
Qytetarët duhet të përgatiten për rritje të re të çmimeve. Në periudhën e ardhshme, çmimet e ushqimeve dhe energjensave do të rriten, konfirmoi Banka Popullore. Si shkak për këtë, guvernatorja Anita Angelovska Bezhoska thekson se është rritja e paralajmëruar e çmimit të naftës me mbi 35 për qind dhe importin e ushqimit më të shtrenjtë.
Nëse flasim për atë se cilët komponentë do të shtynin për këtë rritje të çmimit, natyrisht këtu bën pjesë ushqimi, ai është një nga përbërësit kryesorë, në përputhje me rritjen e pritshme të ushqimit në bursat botërore, ndërsa ne jemi importues neto të ushqimit . Komponenti i dytë është energjia, pritet rritje e madhe në çmimet e energjensave, veçanërisht të naftës”, tha Anita Angelovska Bezhoska, guvernatore e Bankës Popullore.
Nga rishikimi në rritje i inflacionit të Bankës Popullore nga 1.5 në 2.2 për qind për këtë vit, mund të konfirmohet se rritja e çmimeve do të ndihet seriozisht nga qytetarët. Kohët e fundit, qytetarët janë të shqetësuar për rritjen e çmimeve të produkteve themelore ushqimore. Pagat ose stagnojnë ose shënojnë rënie, thonë ata, ndërsa çmimet po rriten dita-ditës.
“Gjithçka është shtrenjtuar, gjithçka. vaji, sheqeri, gjithçka është më shtrenjtë”.
“Vaji është shumë më i shtrenjtë, por ka edhe gjëra të tjera, mishi, prodhimet e mishit të thatë. Janë më shtrenjtë nga ajo që i kemi të ardhurat.”
Sipas përllogaritjes së fundit të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, shporta konsumatore për muajin prill është gati 34 mijë denarë. Më së shumti janë shtrenjtuar ushqimi, veshja, këpucët dhe artikujt e higjienës. Për shkak të kësaj, sindikatat kërkojnë që shteti të vendosë pagë më të lartë minimale.
Paga minimale duhet të jetë së paku 60% e pagës mesatare, sepse as mesatarja dhe as dy paga minimale nuk mbulojnë shportën minimale. Që kjo të mbulohet, një familjeje prej katër anëtarëve i mungojnë 3.596 denarë”, thonë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.
Pjesa më e madhe ose 42 për qind e vlerës së shportës sindikale shpenzohet për ushqim, pak më shumë se 14 mijë denarë. Rreth 11 mijë janë të nevojshme për faturat e strehimit, dhe pjesa tjetër është për transport, higjienë, rroba, trajtim dhe nevoja të tjera.