Maqedoni

Opozita shqiptare nuk do përkrahë ndryshimet kushtetuese nëse nuk tërhiqen ndryshimet e Kodit Penal?

Fronti Opozitar Shqiptar në Maqedoninë e Veriut ditët e fundit është duke shqyrtuar seriozish mundësinë të mos përkrahë ndryshimet kushtetuese, paralajmërojnë burime nga tri partitë që përbëjnë këtë front për portalin Lideri.mk.

Shkak për këtë ndryshim të mundshëm të qëndrimit të opozitës shqiptare janë ndryshimet e fundit në Kodin Penal, me të cilat ulen dënimet si dhe shkurtohet afati i vjetrimit të veprave korruptive nga funksionarë shtetërorë.

Burime të portalit Lideri.mk thonë se nëse nuk kthehet versioni vjetër i Kodit Penal, që u ndryshua javën e kaluar me procedurë të shpejtë, atëherë gjasat të votojnë ndryshimet janë minimale.

Zaten, sekretari i përgjithshëm i Alternativës, Zeqirja Ibrahimi edhe publikisht ka paralajmëruar mundësinë e tillë.

“Këta që zhvillojnë negociata me Nikolla Gruevskin në Budapest është mirë të flasin për më shumë se 10 deputetë që do t’i votojnë ndryshimet kushtetuese, sepse pas kësaj maskaradës që ndodhi me Kodin Penal nuk ka më kuptim që deputetët shqiptarë të jenë në listën e njëjtë të votimit ku do të jetë edhe Nikolla Gruevski me deputetët e tij.
Amnistia e krimit e korrupsionit, në emër të integrimit, është asgjë tjetër, pos afirmim i krimit dhe korrupsionit”, ka shkruar Ibrahimi në Facebook, duke aluduar edhe në akuzat e ndërsjella mes zv/kryeministrit Artan Grubi dhe kryetarit të Kumanovës, Maksim Dimitrievski se cili është takuar me Gruevskin në Budapest.

Ndryshe, liderët e partive opozitare Besa, Lidhja Demokratike dhe Alternativa, e kanë akuzuar BDI-në si ideatote të ndryshimeve të Kodit Penal, me qëllim të kthimit të ish kryeministrit Nikolla Gruevski, shkruan Lideri.mk.

Nëse opozita shqiptare për këtë shkak tërheq përkrahjen ndaj ndryshimeve kushtetuese, atëherë humben edhe 6 ose 7 vota deputetësh dhe do të jetë vështirësi shtesë të kompensohen me deputetë të VMRO-DPMNE-së, duke pasur parasysh se ndryshimi i Kodit Penal arsyetohej me gjoja sigurimin e 7-8 deputetëve të nevojshëm me ndihmën e Gruevskit./Lideri