Maqedoni

Antikorrupsioni ka hapur lëndë për një objekt katërkatësh të BDI-së

Pasi në mesin e vitit të kaluar mediumet njoftuan se një objekt afarist-administrativ afër Telekomit, në qendër të Tetovës ka kaluar në pronësi të BDI-së, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka formuar lëndë për të kontrolluar pretendimet e paraqitura nga mediat.
Kjo lëndë, sipas Antikorrupsionit, është ende në procedim.

“KSHPK ka hapur një rast me iniciativë të veten në lidhje me pretendimet e bëra në një artikull të publikuar në të përjavshmen “Fokus” se partia politike BDI ka fituar pronësinë e një objekti në qendër të Tetovës, objekt i cili thuhet se ka qenë më parë në pronësi të personave që mund të vihen në lidhje me partinë, por edhe me institucionet e menaxhuara nga kuadro të BDI-së. Lënda i është caktuar një anëtari të KSHPK-së dhe veprimi për të ende në vijim”, janë përgjigjur nga Antikorrupsioni.
Sipas të dhënave që kemi siguruar nga Kadastra e Pasurive të Patundhsme, bëhet fjalë për një objekt përdhese dhe 3 kate, me sipërfaqe 452 metra katrorë, ndërsa sipërfaqja e brendshme është 1423 metra katrorë. Siç na tha shefi i departamentit financiar të BDI-së, Bejtulla Ademi, për të blerë këtë objekt partia ka marë kredi bankare prej rreth 900 mijë eurove, me afat të shlyerjes prej 7 vitesh.