Maqedoni

Dështimi i nisjes së negociatave, ASH-AAA fut në lojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare

Duke përmendur një sërë parregullsish që nga formimi i Qeverisë, e deri te dështimi i nisjes së negociatave me Bashkimin Evropian, koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa ka vlerësuar, se opsioni vetëm për kthimin e agjendës evropiane, janë zgjedhjet e parakohshme dhe formimi i një shumice të re parlamentare.

“Krejt këto që i përmendëm shkurtimisht, për shkak të hapësirës së ngushtë, por edhe shumë elemente të tjera, që nuk arritëm t’i përfshijmë, janë dëshmia më e mirë se ky shtet e ka marrë tërkuzën nëpër këmbë dhe ka hequr dorë nga integrimi europian. Parametrat janë këto, ndonëse fjalën mund t’i kenë të tjera. Andaj, duke e pasur këtë bilanc antiintegrues, ne – Koalicioni Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA – gjykojmë se shpëtimi i vetëm për t’u kthyer në agjendën europiane është që ky pushtet të ikë sa më shpejt dhe të hapet perspektiva për një frymë integruese në BE. Zgjedhjet e parakohshme dhe një shumicë e re mund të ndërtojnë një rrëfim tjetër për Maqedoninë e Veriut karshi procesit integrues në Bashkimin Europian”, deklaroi Orhan Murtezani nga koalicioni ASH-AAA.

Lëshimet e Qeverisë që i përmendën si shkak i shkuarjes në zgjedhje të parakohshme parlamentare, janë siç vijojnë më poshtë:

“– Kjo qeveri është formuar mbi paradigmën e mashtrimit “kryeministri shqiptar”, duke u shndërruar kështu në pushtetin ekzekutiv që ka rrënuar çdo kriter demokratik dhe moral të pjesëmarrjes në zgjedhje;
– Kjo qeveri ka ardhur si rezultat i zgjedhjeve të 15 korrikut të vitit 2020, të cilat për ne janë jolegjitime, ngase në këto zgjedhje manipulimi i votës, vjedhja, blerja dhe format e tjera të deformimit të vullnetit demokratik u bënë standard i një shteti që, së paku, zyrtarisht aspiron për të qenë anëtar i BE-së;
– Ky pushtet i ka dhënë tokë ndërtimore në vlerë prej 200 milionë eurosh një afaristi kontrovers, siç është Daka Davidoviq, që sponsorizon agjenda antievropiane në rajon;
– Kjo qeveri ka dështuar plotësisht me sistemin arsimor në kohë pandemie, ndërsa rezultatet e këtij dështimi do t’i ndjejmë edhe shumë kohë në të ardhmen;
– Kjo qeveri ka bërë që të humben mbi 60 mijë vende pune dhe ekonomia vendore të vihet buzë greminës;
– Kjo qeveri është sjellë ndaj pandemisë në stilin “Le të shpëtojë kush si mundet!”, andaj sot shkalla e vdekjeve në RMV është më e larta, ndërsa imunizimi ndër më të ulëtit në Evropë;
– Kjo qeveri ka mundësuar të pajisen me pasaporta mbi 200 kriminelë ordinerë ndërkombëtarë, që kërkohen në gjithë botën, me çka dëshmon se RMV-ja është bërë strehimore për kriminelët, ndërsa ky pushtet është thellë i përfshirë në krim të organizuar ndërkombëtar;
– Kjo qeveri sot “mburret” vetëm me kanabizimin e shtetit, ku drejtuesit e policisë janë bashkëpunëtorët më të ngushët të narko-dilerëve;
– Në listat e vetme ku kjo qeveri e ka vendosur shtetin tonë në krye janë indekset e korrupsionit, kjo e shfaqur bile edhe në blerjen e vaksinave;
– Duke e ditur se drejtësia është vlera fondamentale e BE-së, kjo qeveri e ka bërë të kundërtën – politizimin, etnizimin dhe partizimin e sistemit të drejtësisë;
– Kësaj qeverie selia e NATO-s nuk ia pranon emrat për oficerë në NATO, kjo për shkak të përfshirjes së tyre në shërbime inteligjente antiperëndimore;
– Së fundmi, kjo qeveri synon të bëjë edhe abuzimin me mediat, në mënyrë që ta ngufasë fjalën e lirë dhe të drejtën e informimit objektiv, që janë parime themelore europiane”, vlerësoi më tej Murtezani, transmeton TV21.