Opinion

Vila në breg të gjolit

Nga Agim Xhafka

Pasi mbaruan takimin 43 deputetët e opozitës nisën lëpirësit të hedhin jargët.

Si u bënë bashkë Saliu me Gaz Bardhin që i kanë thënë njëri-tjetrit kështu e ashtu?! Si ndenjën në një tavolinë Salianji me ata që ai u vuri hurin atë ditë janari? Ore, po a mund të besohet Jorida ngjitur me Vokshin se njëra ka deklaruar këto e tjetra ato?!

Ndërkohë më erdhi para sysh ajo vila në breg të gjolit të Pogradecit.

Banonin dy vëllezër që për një avlli e një copë rrugë për të hyrë në shtëpi u zunë mes tyre. U zunë me fjalë, me grushte, me thika e deri me armë. Plot herë gdhiheshin në komisariat. Më pas u futën në grindje dhe sherr edhe fëmijët, madje edhe gratë.

U llahtaris mëhalla. Po deri një mbasdite kur nuk dihet për ç’shkak u mori flakë çatia. U ndezën si shkrepëse trarët prej bredhi. Aq u desh e dy vëllezërit rrëmbyen kovat. Njëri i mbushte te pusi, ia jepte djalit të vet, ai djalit të vëllait tjetër e ky në fund e hidhte mbi flakët.

U shtuan kovat se u shtuan njerëzit. Gratë nisën me batanije e me fshesa të shuanin zjarret e vogla. Vëllezërit mes flakëve ia dolën, e shuan vatrën. Nxirrte tym, po zjarr jo.

-Si mundet që ju dy vëllezërit gati u vratë mes vedi të bëheni bashkë?-çuditeshin të gjithë.

-S’kishim rrugë tjetër. Se para kishim zjarrin, – thanë ata.

Tani ajo vilë është ndrequr.

Është bërë me çati të re dhe lyer me ngjyra liqeni. Mëhalla nuk dëgjon më sherre e grindje. Komisariati ua ka harruar me kohë emrat dy vëllezërve.

Se çatia është shtëpia.