Spasovski: Së shpejti do ta gjejmë qytetarin që valëviti flamurin e Shqipërisë së Madhe në Tetovë
Ditëve në vijim do të gjendet dhe kapet qytetari i cili valëviti flamurin e Shqipërisë së Madhe në Tetovë gjatë organizimit në Sheshin “Iliria” gjatë pritjes së kryeministrit të Kosovës, kështu ka deklaruar ministri i Brendshëm – Oliver Spasovski, njofton Portalb.mk.
“Kemi mbledhur të dhëna të mira operacionale. Disa persona janë vënë në shënjestër. Po kryhen hetime të hollësishme. Mendoj se për disa ditë do ta kemi fytyrën”, tha Spasovski.
Nëse bëhet fjalë për qytetar nga Kosova apo Maqedonia e Veriut, Spasovski tha se kur të vijë momenti do të jepen të gjitha informacionet.
Përndryshe, në Tetovë më 11 gush gjatë manifestimit në qendër të Tetovës si rezultat i vizitës së kryeministrit të Kosovës, një qytetar valëviti flamurin e Shqipërisë së Madhe. Për këtë qytetar, MPB-ja po mbledh informacione, ndërkaq para pak ditëve shpërndau edhe fotografinë e qytetarit.
Ky rast dhe pritja e Albin Kurtit në Tetovë dhe Çair hapi debat të madh në opinionin e Maqedonisë së Veriut dhe jo vetëm.
Pak ditë pas pritjes, Policia e RMV-së nisi kërkesë për nisjen e procedurës kundërvajtëse ndaj dy subjekteve juridike, Komunës së Çairit dh Komunës së Tetovës. Në stacion policor u ftuan dy nikoqirët, Visar Ganiu dhe Bilall Kasami. Kjo sipas MPB-së pasi ata nuk kanë vepruar në bazë të Ligjit për përdorimin e stemës, flamurit dhe himnit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Kryeministri i vendit – Dimitar Kovaçevski doli me qëndrimin kundër mënyrës së manifestimit në shesh të Tetovës, ku aty u pa të valëvitej një flamur me hartën e Shqipërisë së Madhe.
Në reagimin e presidentit Stevo Pendarovski thuhej se organizatorët e tubimeve publike në Tetovë dhe Çair duhet të ndëshkohen me ligj për shkelje të dispozitave ligjore lidhur me përdorimin e flamurit dhe himnit të shtetit dhe flamujve dhe simboleve të bashkësive, me injorim të plotë të simboleve të shtetit.
Reagoi edhe partia opozitare VMRO–DPMNE nga ku theksuan se institucionet nuk mund të arsyetohen me vizita private dhe se partia në pushtet – LSDM e gjunjëzoi sërish Maqedoninë e Veriut.
Nga ana tjetër, partitë opozitare shqiptare akuzuan palën maqedonase se me këtë qasje rikthejnë histerinë antishqiptare nga periudha e komunizmit.
Për këtë rast, presidentja e Kosovës – Vjosa Osmani a i përket pritjes në Tetovë të kryeministrit Kurti ku u shfaq një flamur i “Shqipërisë Etnike”, tha se në tubime askush nga organizatorët nuk e kontrollon çdo qytetarë se çfarë ka në duar. Ajo tha se këtë veprim e sheh si “lëvizje e një qytetari dhe jo si diçka të organizuar”.
Ndërkaq, rasti nuk u la pa u komentuar as nga presidenti i Serbisë – Aleksandar Vuçiq. Ai akuzoi kryeministrin e Kosovës se gjatë vizitës në Tetovë ka promovuar idenë e Shqipërisë së Madhe dhe këtë ai e quajti skandal.