Rroga mesatare e makinistëve 40 mijë denarë, nuk kanë shkas për grevë
Udhëheqësia e “HM-Transport” e përgënjeshtron deklaratën e kryetarit të organizatës sindikale Toni Dimovski. Në kumtesën e lëshuar sot pasdite thuhet se nuk është e saktë që menaxhmenti i ndërmarrjes po ushtron presion ndaj punonjësve.
“Për kryerjen e detyrave të punës së makinistëve në fillim të muajit bëhet një plan mujor për punë, sipas të cilit çdo makinist e di saktësisht se kur duhet të vijë në punë dhe të paraqitet tek udhëheqësi mbikëqyrës. Prej tij merr një urdhëresë, që tregon se me cilin tren duhet të udhëtojë në relacionin përkatës. Duam të theksojmë se janë pezulluar vetëm ata që nuk kanë dashur të marrin urdhëresën sipas planit mujor të punës. Kjo paraqet shkelje të rëndë të rendit dhe disiplinës së punës sipas Rregullores për rendin dhe disiplinën e punës. Në të thuhet se një vepër e tillë i nënshtrohet pushimit nga puna”, thuhet në njoftim.
Lidhur me të ardhurat mujore të makinistëve, nga “Hekurudhat” thonë se nuk është e saktë deklarata e Dimovskit se paga mujore me shtesa të përfshira është maksimumi 40.000 denarë.
“Askund në deklaratën e tij nuk është përmendur i ashtuquajturi kilometër, që mesatarisht është diçka më pak se 20.000,00 denarë në muaj”, thuhet në kumtesë dhe thuhet se për muajt maj, qershor dhe korrik të ardhurat mesatare të makinistit, përfshirë pagën, kompensimet dhe kilometrat, janë 67.640 denarë.
Paga bazë prej 25.000 denarëve, siç thuhet në kumtesë, e merr makinisti, nëse në muajin përkatës nuk qarkullojnë fare, që do të thotë se edhe tani kur janë në grevë dhe nuk punojnë, marrin pagë prej 25.000,00 denarëve.