Alternativa: BDI më shumë e don valutën e BE-së, se sa integrimin në BE
Partia Alternativa vlerëson se rasti me tenderin e fituar nga kompania “Eurovia” flet se agjenda e BDI-së nuk është as integrimi, as BE-ja, por vetëm valuta e Bashkimit Europian, shkruan Alsat.
“Derisa çdo ditë dalin skandale të korrupsionit në të cilin është zhytur kjo parti, gjithnjë e më shumë legjitimohet bindja se BDI-ja është në perëndim e sipër dhe se po e mbledh haraçin e fundit, për të përfunduar në opozitë, ndërsa shumë eksponentë të saj edhe parapa grilave”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.
Alternativa edhe një herë deklaron se “korrupsioni më i madh nuk e ka emrin as SORAVIA, as EUROVIA, por vetëm BDI-ja dhe se pa u çrrënjosur kjo merimangë e thurur ndër vite, Maqedonia e Veriut nuk mund të bëjë asnjë hap drejt BE-së, ndërsa shqiptarët në këtë shtet mbeten peng të politikanëve të kësaj partie, që mbahen nëpër sirtarë me lëndë të trasha të korrupsionit politik”./ Alsat.mk